Dështimet e Felipe Masës afrojnë Alonson te Ferrari
Gabimet që ka bërë në Çmimin e Madh të Australisë dhe atë të Malajzisë, duket se kanë ulur kuotimet e Felipe Masës te Ferrari. Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja iberike "As", sipas të cilës piloti i ardhshëm i "kokëkuqes" do të jetë Fernando Alonso. "Gabimet që Masa ka bërë në dy garat e para (ku ka dalë nga pista) i kanë hapur Alonsos dyert e Ferrarit", ishte titulli i përdorur nga kjo gazetë. Megjithatë, kalimi nuk duket aspak i thjeshtë, edhe sepse dy herë kampioni i botës ka kontratë me Renaultin. Nga ana e tij, Alonso nuk preferon të flasë shumë rreth kësaj çështjeje, duke e konsideruar momentin si jo të përshtatshëm: "Më duket logjike që për pilotin e ardhshëm të Ferrarit të përflitet emri im dhe ai i Sebastian Vetel. Mendoj se është ende shumë shpejt për të folur për ndryshim skuadre".
Gjithsesi, këto fjalë nuk kanë mjaftuar për të bindur mediat spanjolle, që kanë filluar të llogarisin skenarët e mundshëm të kalimit të Alonsos. Madje, duke këshilluar edhe drejtuesit e skuadrës që prodhohet në Maranelo. "Nëse dikush në radhët e Ferrarit merr vesh nga garat, duhet të tentojë të afrojë me çdo kusht në skuadër dy herë kampionin e botës (Fernando Alonson) për sezonin 2009, shkruhej në brendësi. Vetëm në këtë mënyrë kjo skuadër do të garantonte një tjetër epokë të artë, si ajo e Mikael Shumaher". Në citimet e "As" duket qartë që askush në gadishullin Iberik nuk e ka kaluar poshtë trajtimin që MekLareni i bëri Alonsos. "Me Kimin (Raikonen) si shok skuadre, vazhdonte shkrimi, jo vetëm që do të përjetoheshin duele të paharrueshme, por Ferrari do të dominonte plotësisht rivalët e MekLarenit".
Duke kaluar te MekLareni, në radhët e skuadrës anglo-gjermane pas duelit të vjetshëm me Alonson, për Hemilton projektohet një tjetër duel me kolegun aktual, Heiki Kovalainen. Vendi i tretë i finlandezit në Malajzi ka shërbyer për të ndezur konkurrencën me britanikun, që mban statusin e pilotit të parë, megjithatë drejtuesit e "shigjetave të argjendta" e cilësojnë garën si mjaft pozitive.
SSSASS