Rajkard: Nuk kam raport të shkëlqyer me Dinjon
Trajneri i Barcelonës, Frenk Rajkard, ka pranuar publikisht se nuk ka një raport të shkëlqyer me Ronaldinjon, por ka deklaruar se vazhdon të ketë besim te braziliani. Dinjo ka luajtur vetëm 7 ndeshje të plota në 28 takimet zyrtare të luajtura deri tani, ndërsa për të vazhdojnë thashethemet se është pranë largimit nga katalanasit, me Milanin dhe Çelsin, që do ta pranonin krahëhapur. 27-vjeçari ka qenë hija e vetvetes gjatë këtij sezoni, falë problemeve të formës dhe dëmtimeve, por Rajkard të paktën publikisht ka shprehur dëshirën që ai të vazhdojë të qëndrojë në skuadër.
"Unë e cilësoj atë si një njeri me karakter të shkëlqyer. Ai i ka dhënë këtij klubi, shokëve të skuadrës dhe tifozëve më shumë se vetëm cilësitë e tij futbollistike. Nuk dua të them se kam një raport të shkëlqyer me të, por pas kaq shumë vitesh punë bashkë, ai mbetet një person i dashur për mua dhe ia dua të mirën. Unë e respektoj shumë Ronaldinjon", ishin fjalët e Rajkard në një intervistë të dhënë për gazetën sportive "As". Mediat spanjolle e kanë pikturuar këtë si një mesazh të qartë paqeje, por kanë kujtuar se konfirmimi i mungesës së një raporti mes palëve mund të shtyjë fantazistin të largohet nga katalanasit. Ronaldinjo nuk u aktivizua në fitoren 4-1 ndaj Vajadolidit në kampionat apo edhe në takimin e Kupës së Mbretit me Valencian në mesjavë, ashtu si edhe një javë më parë me Almerian në kampionat, duke deklaruar se kishte një dëmtim në këmbën e majtë. Një ekzaminim tregoi se braziliani nuk kishte asnjë dëmtim, por Rajkard nuk dëshiron ta kritikojë futbollistin për këtë sjellje të çuditshme. "Lojtari ka dhimbje dhe ne shpresojmë që ai të riaftësohet sa më shpejt. Ne duhet t‘i besojmë atij. Ronaldinjo i ka dhënë shumë Barcelonës", tha ai.
Në intervistën e tij, Rajkard dukej se preferonte më shumë të fliste për të riun e talentuar Bojan Krkiç, i cili këtë sezon është kthyer në idhullin e ri të tifozerisë. 17-vjeçari shënoi dy gola në ndeshjen e së dielës, duke siguruar rezultatin 4-1, që shkurtoi në katër pikë diferencën me Realin e Madridit. "Ai ka inteligjencën e një futbollisti shumë më të vjetër në moshë dhe zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, punoi shumë, ishte i vëmendshëm ndaj pozicionimit të lojtarëve në fushën e lojës. Më duhet ta përgëzoj për këtë paraqitje të shkëlqyer", deklaroi Rajkard. Krkiç është një sulmues i mirëfilltë, por ka dhënë paraqitje shumë të mira edhe i zhvendosur në krahun e majtë, pikërisht aty ku aktivizohet Ronaldinjo.
SSSASS