Kërkohet trajtim më i mirë i shërbyesve civil
Me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të shërbyesve civil, Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës ka kërkuar një trajtim më të mirë të shërbyesve civil, pasi që pozita e tyre nuk është edhe shumë e kënaqshme.
Mursel Zymberaj nga kjo sindikatë, ka thënë të enjten në një konferencë për media se me gjithë pohimet se shërbyesit civil janë aparati i shtetit ata nuk kanë trajtim të duhur.
“Edhe pse sot publikisht edhe kryeministri, edhe ministri i Administratës publike, por edhe gjithë folësit që ishin në konferencën e sotme thanë se shërbyesit civil janë aparati i këtij shteti ose zbërthyer organikisht, zemra e këtij shteti, merreni me mend një shërbim civil profesional dhe me gjithë mundin që mundohemi me bë punën tonë domosdoshmërisht na takon që të kemi një tretman të mirëfilltë dhe së paku tretman të barabartë me sektorët e tjerë”, ka thënë ai.
Zymberaj ka potencuar se shërbyesit civil po përballen me kushte të rënda të punës edhe pse ata asnjëherë nuk kanë bërë kërkesa për ngritjen e pagave, të cilat sipas tij kanë ndodhur më së voni për dallim nga sektorët e tjerë.
Ai, po ashtu, ka folur edhe për fondin e kuadrove të cilat i ndanë Qeveria e Kosovës dhe për këtë sipas Zymberajt ka pasur ankesa prej shërbyesve civil se në ndarjen e këtij fondi ka pasur shumë manipulime.
“Ky fond i kuadrove në vlerë prej 2 milion euro i ndahet individëve të caktuar në bazë të afërsive të caktuara dhe simpative të caktuara ose të themi ndoshta edhe në baza familjare, ngase ne si sindikatë nuk dimë se kush merr dhe në disa raste që e kemi hetuar se kush e merr këtë fond. Fondi për kuadrat është shumë qesharak. Mjafton në listën për fondin për kuadro futen asistentët e individëve të caktuar po qeveritarëve të caktuar qoftë të nivelit lokal, apo qendror”, ka thënë ai.
Zymberaj ka shfrytëzuar këtë konferencë për media që t’i bëjë thirrje Qeverisë së Kosovës që të japë pagat retroaktive me rritje për shërbyesit civil për janar dhe shkurt.