E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’e duan Sashën

Shumë banorë të Kllokotit kanë nënshkruar peticion për ndërrimin e kryetarit të Komunës, Sasha Mirkovic. Iniciatorët thonë se qytetarët nuk janë të kënaqur me menaxhimin e tij. Ky peticion u dorëzua në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal Nga Lirita Halili më 23 qershor 2011 në ora 11:10

Hasan Rashiti, Sasha Marinkovic dhe Zoran Bogdanovic nga Kllokoti, ia kishin mësyrë të mërkurën, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Prishtinë. Me një çantë përplot me letra, këta tre përfaqësues të banorëve të kësaj komune të vocërr me më pak se një mijë banorë, këtë rrugë e bënë për një hall.

Ata dorëzuan peticionin me nënshkrimet e mbledhura nga banorët e kësaj komune, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të zgjedhur, Sasha Mirkovic.

Përveç nënshkrimeve të 620 banorëve, ata kishin me vete edhe një fletë, ku ishin shkruar edhe të gjitha arsyetimet e këtij peticioni. Arsyet janë ndër më të ndryshmet, duke u nisur nga premtimet e parealizuara, e deri te çështjet më private të kryetarit Mirkovic, por që kanë të bëjnë me buxhetin e Komunës.

Sipas Sasha Marinkovicit, banor i kësaj komune, disa nga shumë arsyet e peticionit për largimin e kryetarit Mirkovic është edhe keqmenaxhimi, mosfunksionimi i Komunës në përgjithësi, si dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Ai thotë se kryetari nuk e respekton as Pakon e Ahtisarit, e cila lejon që punëtorët e shëndetësisë dhe arsimit në Komunën e Kllokotit, lejohen të marrin rroga nga Serbia dhe Kosova në të njëjtën kohë. “Kurse kryetari Mirkovic këto rroga nuk ua jep këtyre punëtorëve, por i përdor për gjëra që vetëm ai i di”, thotë Marinkovic për Express
“E këtë buxhet e shfrytëzojnë ata që nuk janë as punëtorë, e as pjesë e komunës”, tregon ai.

Por akuzat për Sasha Markovicin, nuk përfundojnë këtu. Zoran Bogdanovic thotë se në kohën kur ai së bashku me udhëheqësit e tjerë të peticionit kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve nga banorët e pakënaqur me punën e kryetarit të tyre, ishte vetë Sasha Markovic ai që ka nisur edhe me kërcënime.

Kurse disa banorë të fshatit Magillë, që nuk e kanë nënshkruar dhe nuk janë pajtuar me arsyet e peticionit, për Hasan Rashitin, gjithashtu iniciator i këtij peticioni, thonë se ka probleme personale me kryetarin.

Sipas këtyre banorëve, Rashit deri në muajin shkurt të këtij viti, ishte drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Kllokotit. Por që nga ajo kohë, ai nuk e ushtron më këtë post, pasi kryetari Mirkovic ka marrë vendim për largimin e tij nga puna.
“Kjo është arsyeja e vetme pse është marrë vendim për peticion kundër kryetarit. Të tjerat nuk qëndrojnë”, thonë këta banorë. Por sipas Hasan Rashitit, arsyeja e largimit nga puna nuk ka të bëjë fare me peticionin. Sipas tij, nuk ka asgjë personale në këtë mes.

Expressi ka provuar të kontaktojë gjatë gjithë kohës edhe me kryetarin Sasha Mirkovic, për të marrë një qëndrim të tij rreth peticionit, por kontakti me të ishte i pamundur. Kjo pasi ai ndodhet për një vizitë zyrtare në Beograd.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›