Koha e rriqrave
Me ngrohjen e motit, u paraqitën edhe rriqrat. Kështu të mërkurën në Klinikën Infektive në Prishtinë, u konfirmuan tri rastet e para për këtë vit, të të infektuarve nga ethet hemorragjike. Të infektuarit janë nga komuna e Rahovecit dhe ajo e Malishevës. Nga Rahoveci, të infektuarit janë dy vëllezër, njëri i moshës 11 dhe tjetri 15 vjeç.
Derisa i infektuari i tretë nga Malisheva është një 30-vjeçar. Salih Ahmeti, shef i repartit në Klinikën Infektive në QKUK, tregon se të infektuarit janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. “Të tre pacientët janë në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore dhe ndodhen nën përkujdesje intensive. Mjekët po bëjnë gjithçka që ata të mbijetojnë”, tregon Ahmeti për Express.
Sipas tij, mjekët kanë filluar të bëjnë kompensimin e të gjitha produkteve të gjakut dhe pacientët janë duke u menaxhuar në mënyrë intensive. Por edhe përkundër kujdesit, sipas Ahmetit, sëmundja te pacientët ka një ecuri të rëndë. “Të sëmurët janë mjaft rëndë, mirëpo ne po bëjmë shumë përpjekje në segmentet e mundshme që mund të menaxhohen nga mjekësia, që të tejkalohet sëmundja”, vlerëson Ahmeti.
Sipas Salih Ahmetit, gjatë kësaj periudhe kur janë konfirmuar rastet e sëmundjes, në Klinikën Infektive janë paraqitur gjithsej 7 persona, nën dyshimin se mund të jenë të pickuar nga rriqrat. Megjithatë, sipas tij, vetëm tre nga këta janë konfirmuar se janë të sëmurë nga ethet hemorragjike. “Këtë vit sëmundja fatmirësisht është shfaqur më vonë, krahasuar me vitet e kaluara, Kjo për shkak të rrethanave klimatike”, sqaron ai.
Në Klinikën Infektive, që nga muaji maj kanë kërkuar ndihmë 373 pacientë të prekur nga rriqrat, pjesa dërrmuese e tyre janë lëshuar në shtëpi, pas trajtimit mjekësor. Sezoni i pranverës dhe verës çdo vit në Kosovë karakterizohet përveç me numër të lartë të personave të pickuar nga rriqrat, edhe me viktima në njerëz.
Numri më i madh i viktimave është shënuar në vitin 2001 dhe vitin e kaluar, kur si pasojë e pickimit të rriqrave, përkatësisht etheve hemorragjike, kanë humbur jetën nga 7 persona. Simptomat e para te pacientët e pickuar nga rriqrat janë temperatura e lartë, gjakderdhja nga hunda, nëpër lëkurë, lodhje, molisje dhe simptoma të tjera, pas shfaqjes së të cilave është i domosdoshëm konsultimi me mjekun. Zonat më të rrezikuara nga rriqrat janë Suhareka, Klina, Rahoveci, Skenderaj, Drenasi, por kampione mbetet Malisheva.