E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvarrosën pesë trupa në Gjakovë

Nga Express më 23 qershor 2011 në ora 10:30

Ekspertë të EULEX-it për mjekësi ligjore në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML) kanë zhvarrosur nga një vend i pashënuar në varrezat e Gjakovës mbetjet mortore të pesë personave. Individët e zhvarrosur dyshohet të kenë qenë viktima të luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar të EULEX-it, pas informacionit të marrë nga publiku, që thoshte se në varrezat e Gjakovës janë gjetur mbetjet mortore të një individi, një ekip i ekspertëve të mjekësisë ligjore nga EULEX-i u vendos atje për të kryer zhvarrosjen e mbetjeve mortore dhe për të kryer një vlerësim më të gjerë.

Sipas Alan Robinson, bashkëkryesues në DML, ky është një shembull i mirë i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në kërkimin e të pagjeturve.

“Ata po hapnin një varr kur i gjeten këto mbetje mortore, dhe në bazë të informacionit që ata na dhanë ne ishim në gjendje ta kryejmë këtë operacion i cili rezultoi me zhvarrosjen e pesë individëve”, tha Robinson duke theksuar rëndësinë që ka informacioni i besueshëm për gjetjen e pagjeturve.

Mbetjet mortore janë dërguar në DML në Prishtinë në mënyrë që të fillohet procesi i identifikimit i cili do të kryhet nga ekspertë të EULEX-it për Mjekësi Ligjore duke kombinuar analizat e ADN-së dhe ato antropologjike.

Zhvarrosja në fjalë ishte edhe një rast i mirë për të vazhduar mentorimin e ekipit të sapokrijuar për kryerjen e zhvarrimeve. Pjesëtaret e ekipit vendor të DML nga Ministria e Drejtësisë morën pjesës në mënyrë aktive në këtë operacion, nën mbikëqyrjen e arkeologëve të EULEX-it për mjekësi ligjore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›