E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes për shkencat ekzakte

Nga Express më 23 qershor 2011 në ora 10:47

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se investimi në një arsim të barasvlershëm dhe të njohur ndërkombëtarisht, në përputhje me nevojat e ekonomisë dhe shoqërisë, e shtyn përpara kulturën e kreativitetit dhe shpirtit të sipërmarrjes.

Jahjaga i beri komentet te merkuren gjate nje takimi me një delegacion të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, të udhëhequr nga profesor Minir Efendija.

Ajo më tej theksoi se kujdes i posaçëm duhet kushtuar shkencave ekzakte, matematikës dhe teknologjisë.

“Në kuadër të kompetencave kushtetuese, shkencat ekzakte dhe sidomos fizika e matematika do ta kenë përkrahjen time, ato kanë nevojë për mbështetjen tonë, ashtu që pastaj të na mbështesin në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga tha se nxitja e rezultateve të mira, modernizimi, integriteti akademik, bashkëpunimi me sektorë të ndryshëm profesionalë brenda vendit, konkurrenca dhe ndërkombëtarizimi do t’i ndihmojnë arsimit të lartë në Kosovë që t’u afrohet standardeve evropiane.

Dekani i FSHMN-së, Minir Efendija, tha se FSHMN-ja ka 5000 studentë dhe paraqet boshtin e UP-së. “Kuadri ynë ndihmon jo vetëm Kosovën, por edhe Maqedoninë, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi. Kuadri ynë punësohet jo vetëm në arsim, por edhe në banka, agjenci sigurimesh, etj. Kontributi shkencor i shumë prej profesorëve tanë çmohet ndërkombëtarisht dhe ne kemi nevojë për përkrahje për ta realizuar misionin tonë”, tha Efendija.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›