Kërkoi ndryshimin e gjyqtares, rrëzohet kërkesa e Erion Veliajt

Rrëzohet kërkesa e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda nga seanca paraprake.
Sipas gjykatës, kërkesa e Veliajt nuk ka bazë ligjore.
Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Bib Ndreca.
Sipas mbrojtjes së Veliajt, kërkesa për përjashtimin e gjyqtares lidhej me mënyrën sesi është zhvilluar seanca gjyqësore e 2 shkurtit, ku pretendohej se i është mohuar e drejta për një mbrojtje efektive, në kundërshtim me parimet themelore të procesit të rregullt ligjor.
Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës kanë shprehur pretendime lidhur me zhvillimin e seancës, duke theksuar se Veliaj është detyruar të vazhdojë mbrojtjen personalisht, pavarësisht faktit se gjykata i kishte caktuar një avokate kryesisht, pa pëlqimin e tij. Sipas mbrojtjes, edhe vetë avokatja e caktuar nga gjykata ka deklaruar në sallë se nuk ka pasur mundësi reale për t’u njohur me materialet hetimore, as për të komunikuar me klientin e saj në mënyrë të plotë.
Në këto kushte, ajo ka kërkuar kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes, kërkesë që, sipas deklaratës së mbrojtjes, nuk është marrë parasysh nga gjykata. Përkundrazi, thuhet se refuzimi është shoqëruar me komente dhe qëndrime ironike ndaj rolit të avokates në seancë.
Në deklaratat e bëra gjatë seancës në 2 shkurt, mësohet se vetë kryebashkiaku i Tiranës ka ngritur shqetësime të drejtpërdrejta para trupit gjykues, duke theksuar se nuk mund të realizojë mbrojtje pa pasur akses në dosjen hetimore. Ai ka theksuar se kjo e drejtë nuk i është garantuar as avokates së caktuar nga vetë gjykata.
Një tjetër element që mbrojtja e konsideron shqetësues është qëndrimi i Prokurorisë së Posaçme, e cila, sipas tyre, ka ngritur pretendime se Veliaj ka paguar avokatë jashtë vendit për të lobuar kundër SPAK-ut.
Që prej 10 shkurtit 2025, kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim.
Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në paraburgim.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa procesi gjyqësor ndodhet ende në fazën paraprake.