E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë 3 miliardë dollarë

Nga Express më 03 maj 2011 në ora 19:45

Kryengritësit libianë, të cilët kontrollojnë pjesën lindore të vendit, kanë thënë të martën se ekonomia e tyre mund të shkatërrohet, nëse vendet e perëndimit nuk do t’u jepnin atyre një kredi prej 3 miliardë dollarëve.

Paratë e kërkuara sipas kryengritësve, të cilët njihen edhe si rebelë, do të duhej të siguroheshin nga asetet e ngrira të Muamer Gadafit.

Ali Tarhoni, i cili ka pozitën e menaxherit të ekonomisë dhe naftës në administratën e rebelëve, i ka apeluar Francës, Italisë dhe SHBA-ve që t’ua huazojnë dy deri në tre miliardë dollarë.

Ekonomia e Libisë është para shkatërrimit, dy muaj nga pas nisja e konfliktit në mes të rebelëve dhe forcave lojale ndaj Gadafit, i cili e ka udhëhequr këtë vend për 41 vjet.

Tarhoni ka thënë se lidershipi i rebelëve do të takohet me përfaqësues të fuqive botërore në Romë të enjten ndërsa ka shtuar se një mekanizëm që të hap linjat e kreditit mund të ndërtohet gjatë atij takimi.

Takimi i Romës ka për qëllim që të gjejë një zgjidhje politike për konfliktin në Libi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›