E Diel, 1 Nëntor 2026

Niebel: Jemi të interesuar të investojmë në Kosovë

Nga Express më 03 maj 2011 në ora 21:15

Ministri Gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel ka premtuar se Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në fushën e zhvillimit ekonomik, si në energjetikë, në biznes, arsimim dhe fusha të tjera. Ndërkohë, ka sugjeruar kosovarët se duhet të punojnë dhe të sigurojnë një ambient më të sigurt për investitorët gjerman.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ministri Gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, të martën është takuar me ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe ministrin për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj.

Me këtë rast, ministri i Financave, Bedri Hamza duke falënderuar ministrin Niebel, ka thënë se nga ministri gjerman kanë marrë premtime, se shteti i Gjermanisë do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ndihma dhe përkrahja e Gjermanisë është e gjithanshme. Fusha kryesore ku është e përcaktuar kjo përkrahje është sektori i energjisë, do të fillon së ndërtuari edhe linja e transmisionit të lartë, është projekti i furnizimit me ujë për Prishtinën, fondi për sigurimin e depozitave, pastaj në projektet në arsim, në biznes dhe fusha të tjera. E përmendi edhe ministri Beqaj, se kemi biseduar edhe për procesin e riatdhesimit. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi përgatitur dhe aprovuar infrastrukturën e nevojshme ligjore”, ka thënë Hamza.

Kreu i Ministrisë së Financave ka shtuar se gjatë takimit me ministrin gjerman është biseduar edhe për mundësit e bashkëpunimit ndërshtetëror, në të ardhmen.

Kurse, ministri Gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, pas takimit me ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe ministrin për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, theksoi se Gjermania vazhdon përkrahjen dhe bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, bashkëpunim ky i cili ka filluar dhjetë vjet më parë. Qeveria gjermane është e interesuar të investojë në fushën e telekomunikimit dhe minierave.

Sipas tij, Gjermania do të jetë e përkushtuar ta përkrah Kosovën edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, në mënyrë që ky shtet i ri të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ambient të mirë për investime dhe liberalizim të vizave

“Ne kemi biseduar për tema të rëndësishme politike, të cilat i përkasin bashkëpunimit tonë të përbashkët në veçanti për nevojat e kritereve, të cilat duhet të përmbushen me afrimin me BE-në dhe këtu në veçanti janë sundimi i ligjit, transparenca dhe veprimet e mira qeverisëse dhe ne jemi të mendimit që një hap i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë në një zhvillim të përforcuar. Ekziston dhe për këtë arsyeje te kemi një interesim të përbashkët që të rritet dhe të jetë prezent edhe investimi i ndërmarrjeve gjermane në Kosovë”, ka thënë Niebel.

Ministri gjerman Niebel, ka thënë se Gjermania është e interesuar ta përkrah Kosovën në shumë projekte të ndryshme, duke filluar për projekte të ujësjellësit dhe të ndryshme.

Ndërkaq, ministri për Zhvillim Ekonomikë, Besim Beqaj ka theksuar se kanë marrë një përkrahje të fuqishme nga ministri gjerman Niebel, për procesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Ne u pajtuam gjatë ditës së sotme që të shihet mundësia e bashkëpunimit bilateral në mes Republikës së Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës në fusha konkrete të biznesit, dhe duke ofruar mundësin e angazhimit, sepse kemi përcaktuar që sektori privat do të jetë bartës i zhvillimit ekonomikë, prandaj e kemi marrë përkrahjen edhe nga ministri gjerman se do të ketë një përkrahje shumë më aktive në drejtim të sjelljes së investitorëve, por gjithmonë duke respektuar rendin dhe ligjin, duke respektuar konkurrencën dhe duke respektuar standardet ndërkombëtare sa i përket angazhimit në zhvillimin ekonomikë”, ka thënë Beqaj.

Ndryshe, Gjermania është njëri nga shtete që ka ndihmuar Kosovën në shumë aspekte. Që nga pas lufta e këndej shteti gjerman ka investuar në Kosovë afro 400 milionë euro. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›