Çonte pistoletë dhe fishekë drejt Greqisë, i kapen në bagazhin e autobusit të linjës

Gjirokastër, 4 shkurt, NOA Një person është
arrestuar në flagrancë ndërsa po trafikonte një armë zjarri dhe municion
luftarak drejt tokës greke duke udhëtuar me një autobus të linjës Shqipëri-Greqi.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA
nga burime policore të Gjirokastrës, sipas të cilave i ndaluari është Sotir Zako,
19-vjeç, lindur dhe banues në Skrapar.
Bëhet me dijeni se policët kishin marrë
informacion në rrugë operative se në autobusin
me targë TR 4989 F, të linjës Tiranë-Athinë i shoqërisë Joy Travel, udhëtonte
një person, i cili donte të trafikonte për në shtetin grek armë zjarri dhe
municion.
Prandaj ata e kanë ndjekur autobusin gjatë gjithë rrugës derisa ai
mbërriti në pikën kufitare të Kakavijës ku kanë bërë edhe bllokimin e tij.
Nga kontrolli i imtësishëm i këtij mjeti ka
rezultuar se i ndaluari Zako kishte një pistoletë model 54 prodhim kinez si dhe 7 fishekë, të
fshehur në një çantë shpine të cilën e kishte vendosur në bagazhin e autobusit,
me qëllim trafikimin e tyre drejt Greqisë.
Autobuzi lëvizte nga Tirana në drejtim të
Athinës dhe ka mbërritur në Kakavijë rreth orës 02.00 të mëngjesit, pasi
lëvizja për në shtetin grek është lejuar deri në orën 06.00 të mëngjezit të ditës
së sotme, kur edhe fillon greva e doganierëve grekë.
Në përfundim të të gjitha veprimeve të para
hetimore, u bë sekuestrimi i armës dhe fishekëve në cilësinë e provës materiale
si dhe arrestimi i të lartpërmendurit për veprën penale të Trafikut ndërkombëtar të armëve dhe municioneve, ndërsa
materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë.
n.e/NOA