E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni Butrinti kap trafikantin, u mori klandestinëve 600 euro për në Greqi

Elbasan, 4 shkurt, NOA U mori paradhënie dy
personave nga 600 euro secilit duke u premtuar ndihmë për kalimin e paligjshëm të
kufirit, por është arratisur duke mos ua kthyer dhe duke i lënë në baltë sapo ata
janë kapur nga policia.

Por liria e tij nuk ka zgjatur shumë pasi
forcat policore kanë mundësuar kapjen e tij në kuadrin e operacionit Butrinti.

Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e Lajmeve
NOA nga burimet policore të Elbasanit, sipas të cilave ndaluari është Eduart Sula,
23 vjeç, lindur e banues në këtë qytet, i dënuar më parë për veprën penale të
parashikuar nga neni 33/1 i Kodit Penal Ushtarak.

Ndërkaq, janë identifikuar edhe personat që ai
ka ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit, të cilët janë G.Gj, 20 vjeç,
lindur e banues në fshatin Vidhas të Elbasanit dhe P.U, 21 vjeç, lindur e
banues në fshatin Uruçaj të Peqinit.

Mësohet se këta dy persona do ti paguanin të
ndaluarit Sula shumën e parave prej 800 euro për kalim në tokën greke, por i
kanë dhënë paradhënie prej 600 euro.

Por janë kapur nga policia në momentin që i
janë afruar kufirit dhe janë lënë të lirë.

Pas këtij momenti, trafikanti Eduart Sula është
ndarë nga personat që do të ndihmonte për të shkuar në Greqi duke mos ua kthyer
shumën e 600 eurove si paradhënie dhe është larguar në drejtim të paditur.

Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit
për veprime të mëtejshme mbi veprat penale Ndihmë për kalim të paligjshëm të
kufirit e mbetur në tentativë, e cila parashikohet  nga neni 298/2 e 22 i Kodit Penal.

n.e/NOA

-

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›