Kërkojnë fitoren e parë
Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e dytë e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa takime mjaft interesante.
Ndeshje e tillë pritet të luhet të shtunën në Prizren, ku do përballen dy rivalët e vjetër, Liria e dobësuar gjatë verës dhe Vëllaznimi i përforcuar.
Rivaliteti mes këtyre ekipeve në këtë ndeshje pritet të jetë më i madh se zakonisht, sepse gjatë verës gjashtë futbollistë kyçë e kishin braktisur ekipin bardhezi dhe i ishin bashkuar atij kuqezi, dhe për ta kjo do të jetë ndeshja e parë ndaj ish-skuadrës së tyre.
Prizrenasit dobët e kanë nisur sezonin e ri, pasi në xhiron e parë janë mposhtur nga Drita me rezultat 2:0. Andaj, Liria do të mundohet ta shfrytëzojë maksimalisht përparësinë e terrenit dhe t’u shkaktojë disfatë gjakovarëve.
“Pres angazhim nga lojtarët si kurrë më parë. Po ashtu, pres edhe përkrahjen e publikut dhe në fund t’i gëzohemi fitores. Të tregojmë se Liria është skuadër e madhe dhe di të mobilizohet”, ka thënë futbollisti i Lirisë, Alban Guci.
Mirëpo, skuadra bardhezi nuk do ta ketë aspak të lehtë ta arrijë objektivin, pasi përballë do ta ketë Vëllaznimin e përforcuar, i cili synon që të shënojë fitore në këtë takim për të dëshmuar kështu se sivjet seriozisht e synon titullin e kampionit.
“Nuk duhet të nënçmohet Liria. Edhe pse nga ajo skuadër janë larguar disa futbollistë kyçë, aty kanë mbetur edhe disa futbollistë të tjerë me përvojë, të cilët në kombinim me lojtarët e rinj mund të na shkaktojnë probleme serioze, nëse nuk e marrim seriozisht ndeshjen. Përvoja e lojtarëve dhe kualiteti i tyre na favorizon ekipin tonë, por duhet ta marrim seriozisht ndeshjen për të arritur drejt fitores”, ka thënë për Express trajneri i Vëllaznimit, Skënder Shëngyli.
Ky takim nis në ora 17:00. Po të shtunën, në të njëjtën kohë në Skenderaj do të zhvillohet ndeshje shumë interesante mes Drenicës e Dritës, derisa në Kastriot KEK-u ballafaqohet me Lepencin. Kurse, të dielën zhvillohen tri ndeshje të tjera, duke përfshirë derbin e kësaj jave mes dy kandidatëve për titull, nënkampionit aktual, Prishtinës dhe kampionit Hysit.
Superliga – xhiroja e 2-të
E shtunë
Liria – Vëllaznimi
Drenica – Drita
KEK-u – Lepenci
E diel
Gjilani – Trepça
Trepça ’89 – Besa
Prishtina – Hysi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 17:00