S’ka frikë nga Barcelona

Andre Villas-Boas ka insistuar se do të tërhiqej nga futbolli nëse nuk do të besonte se Chelsea mund të mposhtë Barcelonën këtë sezon, në garë për kurorën e Ligës së Kampionëve.
Gjiganti katalonas në edicionin e kaluar fitoi trofeun e tyre të tretë kontinental në gjashtë vitet e fundit, ndërsa këtë sezon duken edhe më të fuqishëm pas transferimit të Cesc Fabregasit dhe Alexis Sanchezit.
E enjtja solli shortin e fazës së grupeve të garës elite të klubeve evropiane, por Chelsea dhe Barcelona ishin ndaras për shkak të statusit të bartësit të grupit.
Por nëse Villas-Boas dëshiron të përfundojë pritjen e gjatë të pronarit Roman Abramovich për triumf në Ligën e Kampionëve, sigurisht se në një fazë të mëvonshme duhet të tejkalojë Barcelonën. Dhe, menaxheri i ri i Chelseas ka insistuar se nuk ka frikë nga përballja e mundshme me aktualisht ekipin më të mirë në Evropë.
“Barcelona është referimi. Ata mund të mposhtin cilëndo skuadër në botë, por i tillë është edhe Chelsea e Real Madridi. Nëse nuk do të besoja në këtë, do të largohesha nga futbolli. Nuk hyj në lojë me mentalitet të humbësit”, tha Villas-Boas për mediet angleze.
Chelsea arriti të fitojë kundër Barcelonës më tepër se një herë kur Villas-Boas ishte në stafin teknik të Jose Mourinhos, ndërsa edhe Interi i Mourinhos i kishte mposhtur ata dy sezone më parë. Villas-Boas theksoi befasitë e kaluara, duke përfshirë ndihmën e tij në rrugëtimin e Portos drejt trofeut më 2004.
“Kjo kishte ndodhur me Porton dhe Monacon. Porto eliminoi Deportivon dhe Lyonin e më pas Manchester Unitedin. Monaco eliminoi Chelsean dhe Real Madridin. Është mjaft e paparashikueshme. Në katër vitet e fundit ka qarkulluar një grup i skuadrave të njëjta në gjysmëfinale, por shumëçka varet nga shorti”, theksoi ai.
Chelsea është bërë pjesëmarrës i vazhdueshëm në Ligën e Kampionëve në epokën e Abramovichit, diçka që synon të bëjë edhe Manchester City pas debutimit të tyre në garë këtë sezon. Villas-Boas i sheh ata si konkurrentë automatikë.
“Ata këtë vit iu janë bashkuar ekipeve më të mira në botë. Është diçka e pabesueshme. Kjo tregon sa shumë mund të arrini, ndërsa ata kanë edhe një trajner fitues, i cili ka fituar tre tituj me radhë në Inter. Nuk shoh pse ata nuk do të mund të shkonin deri në fund”, përfundoi Villas-Boas.