E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë hise në Trepçë

Vizita e princit Michael i Kentit me një delegacion biznesmenësh nga Britania e Madhe në Kosovë, nuk është krejt e rastësishme. Mësohet se ata kanë ardhur për të kërkuar hisen e tyre në këtë vend, të cilin pretendojnë se e kanë eksploruar para një shekulli.

Burime të Express`it thonë se ata kanë ardhur me tapi për të kërkuar pronësi mbi gjigantin metalurgjik Trepça. Dëshmitë e tyre anglezët ua kanë paraqitur institucioneve të Kosovës, me të cilat dëshmojnë se në vitet 1920, ata e kanë zbuluar minierën e Stantërgut. Në këtë mënyrë, pronësia mbi pasuritë minerare pretendojnë se u takon atyre. Në vitin 1926 anglezët kishin eksploruar minierën e Stantërgut. Asokohe, kompania angleze “Selection Trust” eksploroi, hapi dhe shfrytëzoi minierën deri më 1941. Vitet e para miniera filloi veprimtarinë prodhuese me një kapacitet 500 ton në ditë për t’u ngritur pas disa vitesh në 2 mijë tonë në ditë.

Po ashtu, para një muaji është arritur marrëveshje mes Trepçës dhe kompaninë angleze “Poseidion grup”, e cila ka filluar eksplorimin e resurseve të reja minerare në Kosovë. Faza e parë e hulumtimeve gjeologjike është kompletuar dhe janë bërë 5 shpime me gjatësi 197 metra.

Megjithatë, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk prononcohen lidhur me këto pretendime, duke thënë se nuk janë në dijeni se anglezët kërkojnë hise në minierat e Trepçës. As zëdhënësi i Trepçës, Bislim Muça, nuk i ka komentuar pretendimet e delegacionit anglez, duke i parë më shumë në nivel të bashkëpunimeve. Krejt çka ai ka thënë rreth privatizimit të Trepçës, është krijimi i një task-force. Gjithashtu, në qershor pritet të bëhet strategjia rreth gjendjes ekzistuese të aseteve të këtij gjiganti.
“Për me tej është në dorën e strukturave kompetente. Anglezët janë të interesuar me bashkëpunu”, tha Muça.

Nga ana tjetër, delegacioni i investitorëve nga Britania e Madhe, të prirë nga princi Micheal i Kentit, pas ardhjes në Kosovë i bëri një vizitë të premten minierës së Stantërgut. Ardhja e tyre thuhet se është bërë për t’u njohur për së afërmi me gjendjen e Trepçës dhe mundësitë e investimeve.

Pas daljes nga galeria e minierës, princi Michael i Kentit tha se ka ardhur në Kosovë, përkatësisht në Trepçë, për të parë mundësitë e bashkëpunimit në fushat e rëndësishme, siç është sektori minerar dhe për të ndihmuar këtë sektor përmes investimeve.

Princi, po ashtu, ka lavdëruar punën e minatorëve, stafit inxhiniero-teknik dhe menaxhimin e suksesshëm të kësaj ndërmarrjeje nga stafi udhëheqës.

Menaxheri i ndërmarrjes “Trepça”, Ferat Shala, vizitën e anglezëve e ka quajtur si shumë të rëndësishme për Trepçën, pasi, sipas tij, mëtohet që të vihen bazat e një bashkëpunimi të përbashkët në fushën e ekonomisë me kompani shumë serioze të Britanisë së Madhe.

Për Shalën, menaxhmenti i ndërmarrjes së bashku më gjithë punonjësit e tjerë po bëjnë përpjekje sa po munden për ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e Trepçës.

“Në këtë kontekst duhet përmendur edhe punën e Taskë-forcës, që ka për qëllim ta krijojë strategjinë dhe kahet e zhvillimit të sektorit minerar në përgjithësi dhe të ndërmarrjes Trepça në veçanti’, ka thënë Shala.

Ndryshe, më herët, zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit patën thënë se rigjallërimi i suksesshëm i Trepçës nënkupton që të lirohet nga detyrimet ligjore për shkak të trashëgimisë së kaluar të saj, sa u përket detyrimeve dhe padive.

Fakte për Trepçën

- Në vitin 1925-1932, Alfred Chester Beatty, inxhinier amerikan, ka filluar hulumtimet e para për minierën e Stantërgut.
- Kompania angleze, Selection Trust Ltd, eksploroi e hapi dhe shfrytëzoi minierën nga vitet 1926 e deri 1941.
- Selection Trust nënshkroi kontratë në atë kohë me Radomir N. Pasic, djalin e ish-kryeministrit të Jugosllavisë, Nikola Pasic.
- Më 9 dhjetor 1927, në Londër formohet shoqëria aksionare “Trepça Mines Ltd” në bazë të koncesionit në vlerë 1,789,028 (pounds sterling) për shfrytëzim 50–vjeçar të vendburimit.
- Për shkak të krizës financiare në vitin 1941, kjo kompani ia shet 40 për qind të aksioneve të Trepçës kompanisë gjermane “Hermann Goering's Reichswerke Company”.
- Në vitin 1946, Qeveria e Titos nacionalizon të gjitha minierat e Trepçës, bashkë me të gjitha kompanitë e tjera në ish-Jugosllavi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›