Shtohen shefat në Ministri të Ekonomisë
Pas më shumë se 4 katër muajsh ankth, nëpunësit e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës janë njohur dje me strukturën e re. Prezantimin e bëri vetë ministri Dritan Prifti, i cili e konsideroi strukturën si nxitje për zhvillimin e reformave. Organigrama paraqet drejtori të reja, me koncept ndryshe nga e para, me zgjerim stafi dhe shumë lëvizje paralele ose ulje në detyrë. Shumë drejtori janë shkrirë për t’u krijuar të reja, si dhe të tjera janë shtuar. Në mbledhje, ministri Prifti informoi mbi ndryshimet që do të sjellë kjo strukturë në funksionimin e punës në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ndryshime që synojnë t’i japin një hov të ri reformave që po ndërmerr dhe do të ndërmarrë në të ardhmen ky dikaster. “Vetë hartimi dhe miratimi i strukturës së re është bërë po në kuadër të reformave që ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z Dritan Prifti, është zotuar se do të ndërmarrë kur erdhi në krye të këtij institucioni”, tha ministri. Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të strukturës së re synohet që t’u kushtohet një vëmendje e veçantë reformave në sektorë të ndryshëm, si në sektorin energjetik, atë minerar. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe zhvillimit të biznesit. Struktura e re kishte shtuar ankthin e punonjësve në ministri, me shqetësimin e largimit nga puna, duke rrezikuar bllokimin e reformave, pasi procesi zgjati më shumë se katër muaj.
#