E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë koordinator

Qeveria e Kosovës po planifikon të emërojë një koordinator të ri për veriun. Hajredin Kuçi thotë se njeriu që do ta mbajë këtë post duhet të jetë i pranueshëm edhe për serbët lokalë. Por, Oliver Ivanovic insiston se serbët nuk do ta pranojnë askënd që përfaqëson Republikën e Kosovës. Analistët vlerësojnë se serbët atje do të pajtohen vetëm përmes dialogut dhe investimeve të mëdha.

Paralajmërimet për largimin e Ylber Hysës nga posti i koordinatorit për veriun e Kosovës u ka lënë hapësirë zyrtarëve të Qeverisë të mendojnë për gjetjen e një zëvendësuesi nga komuniteti pakicë.

Në këtë mënyrë, ekzekutivi po provon t`i bind serbët e veriut të integrohen në institucionet e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka treguar se janë duke diskutuar për emërimin e një koordinatori, që do të jetë i pranueshëm edhe për serbët atje.

“Do të gjejmë një emër që është i pranueshëm edhe për Kosovën, njëkohësisht edhe për serbët – do të thotë për serbët lokalë e jo për të tjerët, por për qytetarët serbë që jetojnë atje”, ka thënë Kuçi për Express.

Ai nuk e ka mohuar mundësinë që zëvendësuesi i Ylber Hysës, i cili pritet të emërohet ambasador, do të jetë nga komuniteti pakicë. Por, Kuçi ka thënë se më këtë punë është duke u marrë Shefi i Qeverisë.

“Kryeministri është duke e menduar këtë, natyrisht edhe me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, edhe do ta gjejmë momentin e duhur për emërimin adekuat”, është shprehur Kuçi.

Por, ideja e Qeverisë për të emëruar një zyrtar të ri për veriun është kundërshtuar nga Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic.

Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë realitetin në veri para se të marrë hapa të tjerë për pjesën më problematike të Kosovës.

“Asnjë koordinator i Qeverisë së Kosovës nuk ka përparësi, pavarësisht nacionalitetit. Ai nuk ka mundësi me depërtu dhe as me ndryshu situatën”, ka shtuar Ivanovic për Express.

Shpeshherë Kryeministri Thaçi ka përmendur se duhen ide kreative për Mitrovicën e veriut.

Ky kreativitet, sipas Ivanovicit, do të duhej të ishte pranimi i realitetit se veriu nuk e pranon shtetin e Kosovës.

“Mënyra kreative është që me e kuptu realitetin se veriu nuk e pranon pavarësinë e Kosovës si fakt. Njerëzit e veriut janë kundër kësaj dhe këtë duhet kuptuar dhe pranuar si realitet”.

Ky zyrtar i Qeverisë serbe pohon se koordinatori i ri nuk do të pranohet nga serbët lokalë edhe nëse emërohet ndonjë serb.

Por, analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovës, Naim Rashiti thotë se koordinatori i ri duhet të jetë përsëri shqiptar me ndikim në Qeveri në mënyrë që t`i lëvizë proceset.

“Natyrisht se me veriun, nëse duhet caktuar një koordinator, duhet t jetë një zyrtar i lartë i Qeverisë, i besueshëm dhe me ndikim në Qeveri. Ndoshta edhe duhet të jetë shqiptar, të shpjegojë pozicionin dhe qëllimet e Qeverisë”, ka thënë Rashiti për Express.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk po dëshiron ta trajtojë veriun si çështje specifike dhe po kërkon qe veriu të zgjidhet në kuadër të Planit të Ahitsaarit.

Por, çka duhet bërë për veriun?

“Duhet të komunikohet më shumë me veriun për të dizajnuar një veprim dhe politikë, e cila më lehtë do të depërtonte në veri. Dialogu dhe planifikimi duhet të ndodhin tani”, ka thënë Rashiti.

Me gjithë rezistencën e serbëve për t`i pranuar institucionet e Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se do të ketë kontakte me banorët lokalë. Por, mohon se do të ketë proces të veçantë.

“Ne do të punojmë në drejtim të kontaktit dhe ofrimit të mundësive që kemi ne. Nuk do të jetë një proces i veçantë i dialogimit, por do të jetë proces që garanton mundësinë që ata të kenë qasje të plotë në vendin tonë dhe institucionet tona”, ka thënë Kuçi.

Edhe ky veprim i Qeverisë nga Oliver Ivanovic shihet pa efekt, pasi serbët presin veprimet e Beogradit e jo të Prishtinës.

“Thaçi nuk po e kupton se njerëzit nuk e ndërrojnë mendimin me një veprim të ri apo të ndonjë koordinatori të ri. Mendimi i serbëve në veri mund të ndryshojë vetëm nëse Beogradi e ndryshon mendimin karshi kësaj situate”, parashikon Ivanovic.

Megjithëkëtë, analisti i ICG’së, Naim Rashiti beson se serbët mund të kthehen kah Prishtina vetëm nëse ka dialog me serbët dhe investime të mëdha në atë pjesë.

“Prandaj koordinatori duhet mbështetur me veprime konkrete organizative, qeveritare, fonde të mëdha dhe dialog. Vetëm kështu mund të depërtohet në veri. Duhet të tregojë gatishmëri të plotë për dialog më të gjithë dhe dedikojë fonde dhe resurse të mjaftueshme për të ndryshuar gjendjen atje”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në fund të shkurtit të vitit 2010, Kryeministri pat emëruar Ylber Hysën Koordinator për zbatimin e Strategjisë së Qeverisë së Kosovës. As koordinatori e as Qeveria e Kosovës nuk kanë arritur të kenë ndonjë ndikim në pjesën më problematike të Kosovës. Strategjia për integrimin e pjesës veriore nuk ka gjetur zbatim dhe tash me veriun po merret KFOR’i dhe EULEX’i, pasi serbët lokalë i kanë bllokuar rrugët me barrikada si pasojë e aksionit të ndërmarrë nga Policia e Kosovës në korrik të këtij viti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›