E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hungaria kërkon reforma

Presidenti i Hungarisë, Pal Schmitt, qëndroi të enjten në Kosovë. Ai u prit nga homologia e tij, Atifete Jahjaga, derisa vizitoi edhe ushtarët hungarezë në Kosovë. Schmitt tha se Kosova duhet të kryejë të gjitha reformat dhe detyrat në rrugën e saj drejt BE’së.

Derisa institucionet e Kosovës po vazhdojnë të përmendin aspiratat për integrim në BE, po vazhdojnë edhe kërkesat e liderëve europianë se për të bërë diçka në këtë drejtim Kosova duhet të luftojë dhe të kryejë reforma.

Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Presidenti i Hungarisë, Pál Schmitt, i cili ka qëndruar në Kosovë, ku ka vizituar ushtarët hungarezë që shërbejnë në Kosovë, derisa ka takuar edhe Presidenten Atifete Jahjaga.

Sipas një kumtese të Presidencës së Kosovës , Schmitt ka kërkuar nga Kosova që të bëjë reforma nëse do që të ecë në rrugën europiane.

“Presidenti Pál Schmitt tha se Kosova duhet të kryejë të gjitha reformat në vend dhe të gjitha detyrat që dalin në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian, duke shtuar se të gjitha vendeve të Ballkanit duhet t’u tregohet perspektiva e qartë europiane”, thuhet në një kumtesë të Presidencës.

Në njoftim po ashtu theksohet se Hungaria ka ofruar mbështetje për proceset integruese të Kosovës përmes përvojës së saj.

“Ai (Schmitt) theksoi se marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Kosovës janë shumë të mira, por ato duhet të intensifikohen dhe të thelohen edhe më tej. Në këtë kontekst, ai përmendi angazhimin e Hungarisë në misionet ndërkombëtare në vendin tonë, si një kontribut konkret të këtij shteti për vendin tonë”, ka njoftuar Presidenca.

Ky institucion ka përmendur edhe një lëvdatë që hungarezi i ka bërë Jahjagës.

“Presidenti i Republikës së Hungarisë, z. Pál Schmitt, pasi përgëzoi Presidenten Jahjaga për punën që po bën, theksoi se ai dhe vendi i tij i japin mbështetje të plotë të gjitha proceseve në Kosovë”.

Aty njoftohet se numri një i shtetit të Kosovës ka shprehur falënderime për angazhimet e shtetit hungarez për çështjen e Kosovës. “Mosnjohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian paraqet pengesa për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

“Si e keni thënë edhe ju, këto pengesa nuk janë se ka ndonjë politikë kundër Kosovës sepse as që mund të ketë ndonjë pikëpamje të tillë, porse shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë disa çështje të brendshme të tyre që mendojnë se janë të ngjashme me Kosovën dhe se njohja mund të nxisë procese të caktuara në vendet e tyre, tha Presidentja Jahjaga, duke shtuar se Kosova është një rast i veçantë Sui Generis, që nuk ndërlidhet me asnjë rast tjetër as në Evropë e as në botë”, ka shtuar Jahjaga. Për nder të Presidentit të Hungarisë, Jahjaga ka shtruar edhe një drekë.

Jahjaga në varrimin e Havel

Të enjten po ashtu është bërë e ditur se Presidentja Atifete Jahjaga ka udhëtuar drejt Republikës së Çekisë, ku do të marrë pjesë në varrimin e ish-Presidentit çek, Vaclav Havel, i cili ndërroi jetë ditë më parë.

Po ashtu Presidenca ka rikujtuar se gjatë muajit tetor, Presidentja Jahjaga ka vizituar Pragën, ku ka marrë pjesë në punimet e konferencës së 15-të të “Forumit 2000”, me ftesën e Vaclav Havel si dhe dekorimin që i është bërë disidentit me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›