Balancohet Presidentja
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka lavdëruar të mërkurën Lidhjen Demokratike të Kosovë përmes një telegrami që ka dërguar nga Praga, e që është lexuar në përvjetorin e kësaj partie.
Jahjaga, e cila ndodhet në Ceki, ku po marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish Presidentit të Çekisë Vaclav Havel, fillimisht ka kërkuar falje që nuk ka qenë e pranishme në përvjetorin e partisë numër dy në vend, për të shpërthyer më pas me lëvdata.
Një fjalim i këtij lloji për PDK’në muaj më parë kishte nxitur reagime ndaj Presidentes, e cila e kishte ngritur në qiell subjektin më të madh në vend, që drejtohet nga Kryeministri Hashim Thaçi.
“Me Partinë Demokratike të Kosovës, ashtu si edhe me partitë e tjera të Kosovës, lidhen sukseset e pavarësisë dhe të prosperitetit të vendit, proceset demokratike, liria e shprehjes dhe e organizimit politik, e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, ishte shprehur Presidentja e cila ishte shfaqur në tubimin e PDK’së përkrah drejtuesve të saj.
E përvjetori i LDK’së ka qenë një rast i mirë për balancin.
Në telegramin e saj, kreu i shtetit është shprehur po ashtu në superlativ për LDK’në.
“Si Presidente e Republikës së Kosovës, vlerësoj lart kontributin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, për proceset e shtetndërtimit dhe të demokracisë, që së bashku me partitë e tjera politike ndërtuan jetën pluraliste demokratike, ndërtuan parlamentarizmin, që njerëzit lirshëm dhe në mënyrë të drejtë e të ndershme nëpërmjet procesit elektoral të zgjedhin përfaqësuesit legalë dhe legjitimë që e qeverisin vendin”, thuhet në telegram.
Jahjaga nuk ka harruar pa përmendur edhe Presidentin Ibrahim Rugova, duke e quajtur vizionar të madh.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është e lidhur përjetësisht me themeluesin e ideologun, intelektualin demokrat Dr. Ibrahim Rugova, i cili me vizionaritetin e tij, me angazhimin praktik dhe të përditshëm e formësoi idenë e çështjes së Kosovës si një çështje e cila duhet të zgjidhet duke respektuar vullnetin e shprehur lirshëm të popullit”, thuhet në telegram.
Sipas Presidentes, Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet një forcë e respektueshme politike.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ishte dhe mbeti një forcë e respektueshme politike, që në pushtet dhe në opozitë, duke ndërtuar koalicionet dhe duke bërë marrëveshjet për qeverisje, i dha vulë të gjitha proceseve të rëndësishme politike, të shtetndërtimit dhe të zhvillimit të Republikës së Kosovës gjatë gjithë kësaj periudhe njëzetë e dyvjeçare dhe ky kontribut është i pashmangshëm, si shprehje e vullnetit të popullit edhe në të ardhmen”.
Presidentja Jahjaga kishte ardhur në krye të shtetit pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit nga ky pozicion si dhe pas marrëveshjes mes PDK’së LDK’së dhe AKR’së me ndërmjetësimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas një hezitimi disamujor dhe mbylljeje në zyrën e saj, Jahjaga ka ndryshuar kursin, duke u përfshirë më shumë në jetën politike në vend.
Kohë më parë në një fjalim para Kuvendit, ajo ka shfaqur ambicien e saj për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke themeluar një këshill në kuadër të presidencës.
Kjo lëvizje e saj nga analistët është cilësuar si një përpjekje për të përforcuar rolin e saj dhe si një paralajmërim të kandidaturës së saj për zgjedhjet presidenciale, që sipas të gjitha gjasave, do të mbahen më 2013.