E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë pikët e sigurisë

Xhiroja e 27’të e Superligës do të vërë përballë dy skuadra që po luftojnë për mbijetesë, Drenicën dhe Ballkanin. Kuqezinjtë kërkojnë fitore nga ky takim për t’i ikur zonës së rrezikut, derisa portokallinjtë do të ishin të kënaqur edhe me një pikë. Nga Kaltrin Morina më 07 maj 2011 në ora 12:19

Superliga e Kosovës po shkon drejt përfundimit, derisa lufta për titull dhe mbijetesë pritet të vazhdojë deri në xhiron e fundit. Edhe xhiroja e 27’të pritet të sjellë përballje interesante.

Ndeshja kryesore e kësaj jave do të zhvillohet të shtunën në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj, ndërmjet Drenicës dhe Ballkanit, dy ekipeve që po luftojnë për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku nga kjo përballje synon t’i arkëtojë tri pikë dhe t’i ikë zonës së rrezikut. “Në ndeshjen e së shtunës, dihet se kemi një kundërshtar që gjendet në pozitën e njëjtë dhe që kemi synime të përbashkëta. Ndërsa për ne tri pikë do të jenë të nevojshme shumë për pozitën që kemi. Që nga fillimi i lojës do të qasemi për fitore dhe këtë do të mundohemi ta arrijmë ose të paktën të mos mposhtemi si vendas”, ka thënë Lushtaku për Express.

Në anën tjetër, edhe për ekipin e Ballkanit pikët do të jenë shumë të nevojshme në garë për mbijetesë. Trajneri i ekipit portokalli, Zymer Elshani do të ishte i kënaqur edhe me një barazim.

“Ne jemi të përgatitur në mënyrë më të mirë të mundshme për takimin e së shtunës. Në këtë lojë do të hyjmë për fitore, ose të paktën të mos mposhtemi, por të marrim të paktën një pikë. Shpresojmë të jetë një ndeshje fer dhe korrekte dhe të fitojë më i miri”, theksoi Elshani.

Pas 26 xhirove të zhvilluara në Superligë, Ballkani zë pozitën e tetë në renditjen tabelore me 32 pikë të tubuara, një më shumë sesa Drenica që gjendet një vend më poshtë.

Ndërsa edhe të dielën pritet të luhen disa takime interesante si në garë për titull, ashtu edhe për mbijetesë.

Superliga – xhiroja e 27-të
E shtunë
Liria – Trepça
Drenica – Ballkani
Besa – KEK-u
E diel
Trepça ’89 – Flamurtari
Hysi – Ferizaj
Prishtina – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet nisin në ora 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›