Colomba shpreson në qëndrimin e Xhemajlit

Trajneri i Parmës, Franco Colomba shpreson se mesfushori shqiptar, Blerim Xhemajli të mbetet në klub edhe pas përfundimit të këtij sezoni. 25-vjeçari nga Tetova është titullar i pazëvendësueshëm te Parma, skuadër kjo e cila është në rrugë të mirë për të siguruar mbijetesën në Serie A, pas vështirësive të mëparshme që i kishin zhytur në zonën e rrezikuar.
Meritat për këtë i takojnë sigurisht edhe Xhemajlit, i cili paraqitjet e tij të mira i kurorëzoi edhe me gol në fitoren e javës së kaluar, 3-1, ndaj Palermos që i ngriti ata në pozitën e 13-të, tri xhiro para fundit.
E ardhmja e Xhemajlit është temë e shumëpërfolur në mediet italiane, por Colomba ka theksuar se llogarit në shërbimet e mesfushorit shqiptar, edhe për sezonin e ardhshëm.
“Xhemajli është futbollist imi dhe si i tillë dua që ai të mbetet në Parmë dhe shpresoj të vazhdoj ta kem në skuadër. Ai është një djalosh me vlera, më pëlqen si futbollist dhe dua që të mbetet në Parmë edhe për vitin e ardhshëm”, tha Colomba, gjatë programit ‘Si Gonfia la rete’ në Radio Crc. Xhemajli u transferua te Parma në vitin 2010 nga Torinoja.