E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madje edhe golfi

Sportet kryesore në Kosovë, futbolli dhe basketbolli, ende nuk ia kanë dalë të depërtojnë në arenën ndërkombëtare. Por, kjo nuk vlen edhe për golfin, sportin më të ri në vendin tonë. Federata Botërore e Mini Golfit i ka ftuar dy lojtarët kosovarë, Arben Alijajn e Lavdim Zylfiun, që të marrin pjesë në turneun ‘World Adventure Golf Masters 2011’, i cili do të mbahet në Angli nga 9 deri më 16 maj. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 07 maj 2011 në ora 13:30

Kanë kaluar dymbëdhjetë vjet që prej pavarësimit të Kosovës, derisa sportet kryesore, futbolli dhe basketbolli vazhdojnë të mbesin të izoluara përkundër përpjekjeve për ndërkombëtarizim.

Por, kjo nuk vlen edhe për golfin, sport i cili veç sa ka filluar të lulëzojë në vendin tonë.

Federata Botërore e Mini Golfit dhe ajo e Britanisë së Madhe i kanë ftuar zyrtarisht dy lojtarë kosovarë për pjesëmarrje në turneun botërorë, ‘World Adventure Golf Masters 2011’, i cili do të mbahet prej 9 deri më 16 maj në Angli.

Arben Alija dhe Lavdim Zylfiu do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë eveniment, në të cilin do të marrin pjesë gjithsej 72 garues nga shtete të ndryshme të botës.

“Federata Botërore e Golfit zyrtarisht ka dërguar ftesë në klubin tonë, Golf Prishtina, për pjesëmarrje në këtë garë botërore. Atje, Kosovën do ta përfaqësojnë Arben Alija dhe Lavdim Zylfiu”, tha bashkëpronarja e Golf Prishtinës, Edona Kurtolli në një konferencë për media të premten.

Në anën tjetër, Alija dhe Zylfiu e vlerësuan si shumë të rëndësishme për Kosovën, pjesëmarrjen e tyre në ‘World Adventure Golf Masters 2011’.

“Pjesëmarrja jonë atje do të ketë edhe kuptim lobues për Kosovën si shtet. Por, njëkohësisht, ne synojmë që vendin tonë ta përfaqësojmë sa më mirë atje dhe në fund edhe të fitojmë diçka”, u shpreh Alija.

Kurse Zylfiu ka treguar se si së bashku me Alijajn, nëpërmjet Golf Prishtinës, kishin lobuar për pjesëmarrje në këtë eveniment. Kontaktet e para ata i kishin nisur nëpërmjet rrjetit social në internet, Facebook.

“Fillimisht kontaktuam me Federatën Evropiane. Ata u bindën se ne kosovarët jemi seriozë në golf, sidomos kur i njoftuam se infrastrukturën sportive të Golf Prishtinës e ka punuar kompania suedeze, më me emër në Evropë”, tha Zylfiu.

“Me referencat e Federatës Evropiane kemi zhvilluar kontakte edhe me federata të vendeve tjera dhe me Federatën Botërore, e cila mori vendim të na bëjë ftesë zyrtare”, sqaroi ai.

Golfi, së shpejti me federatë

Pa dyshim, pjesëmarrja e dy garuesve kosovarë në turneun botëror të mini golfit, ‘World Adventure Golf Masters 2011’ është një hap i madh drejt zhvillimit të këtij sporti në vendin tonë, kur dihet se golfi në Kosovë ka nisur të lulëzojë në verën e vitit 2010, me ndërtimin e fushës së golfit nga klubi Golf Prishtina.

Federata e Golfit e Kosovës akoma nuk është formuar, derisa Kosova do të jetë shteti i vetëm që do të marrë pjesë në këtë ngjarje, pa qenë fare anëtare e Federatës Botërore të Golfit.

Mirëpo, klubi i parë kosovar i këtij sporti, Golf Prishtina, tashmë veç është në fazën përfundimtare të formimit të Federatës së Golfit të Kosovës.

“Jemi pranë formimit të Federatës së Golfit të Kosovës dhe njëkohësisht formimit të ligës sonë. Deri më tani i kemi formuar shtatë klube nga Prishtina, Prizreni e Gjilani. I kemi kryer të gjitha përgatitjet për formimin e Federatës, por ka mbetur ta mbajmë Kuvendin dhe zgjedhjen e udhëheqësve të Federatës”, u shpreh Edona Kurtolli, bashkëpronare në Golf Prishtina.

“Kjo do të ndodhë shumë shpejt, për të filluar më pas procesin e ndërkombëtarizimit tonë”, u shpreh ajo.

Pjesëmarrjen e dy kosovarëve në ‘World Adventure Golf Masters 2011’, Kurtolli e vlerësoi si hapin e parë dhe më të madhin drejt anëtarësimit të Kosovës në Federatën Botërore të Golfit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›