Kërkon ndërhyrjen e EULEX-it

I ashtuquajturi sekretari shtetëror serb në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka kërkuar të dielën nga EULEX-i që të marrë nga organet e Kosovës rastin e vozitësve të arrestuar serbë dhe pret që të marrë nesër përgjigjen.
Gjykata Komunale e Mitrovicës me seli në Vushtrri, ka caktuar të premten 30 ditë paraburgim ndaj trembëdhjetë vozitësve nga Serbia të kompanisë “Eurokop”, të cilët Policia e Kosovës i kishte arrestuar dy ditë më parë për hyrje ilegale në territorin e vendit tonë.
Derisa gjykimi ndaj të akuzuarve pritet të vazhdojë gjatë javës së ardhme, Oliver Ivanoviq ka kontaktuar sot përfaqësuesit e misionit evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe ka kërkuar që të marrin rastin, pasi sipas tij “ka indikacione se do të shndërrohet në rast politik”.
“Pres përgjigjen e tyre të hënën, pasi që ky është momenti kur mund ta marrin rastin nëse ekzistojnë elemente për gjithë atë për të cilën kam pohuar në bisedë me ta. EULEX-i ose duhet të marrë rastin, ose duhet të ketë kontroll strikt mbi rastin”, ka thënë Ivanoviq për mediat serbe.
Trembëdhjetë nga gjithsej tetëmbëdhjetë vozitësit e kamionëve të firmës serbe “Eurokop”, të cilët kishin ardhur me transport privat deri në Kosovë nga Serbia, kanë shfrytëzuar rrugët ilegale për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.
Burime të Kosovapress-it kanë bërë të ditur se kamionët që janë ndaluar në terminalin doganor janë të kapos së krimit në veriun e Kosovës, Zvonko Veselinoviq, i cili kohë më parë në emër të reketit, i ka marrë nga pronarët e firmës “Eurokop” nga Rashka, Mile Gjurashkoviq dhe Gago Curciq.
Sipas këtyre burimeve, këta kamionë që nga 25 korriku kur ka filluar aksioni i policisë së Kosovës në veri të vendit, janë përdorur për bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës.