Kërkon ndihmë nga Britania e Madhe
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar të hënën nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cliff, që ta ndihmojë Kosovën për t’ia mundësuar asaj pjesëmarrjen si shtet në Lojërat Olimpike “Londra 2012”.
Ministri Krasniqi dhe ambasadori Cliff patën një takim, në të cilin diskutuan për të arriturat dhe sfidat në kulturë, sport, trashëgimi kulturore dhe rini në Kosovë. Ministri Krasniqi, sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në “Londra 2012”, tha se është duke u punuar maksimalisht nga të gjitha institucionet e po ashtu edhe nga atletët.
“Do të ishte mjaft dekurajuese për ne dhe sportistët nëse nuk jemi pjesëmarrës dhe e kam thënë se kjo nuk do të ishte në përputhje me parimet olimpike. Shfrytëzoj rastin që të kërkoj nga ju ndihmë në këtë drejtim sepse për ne kjo ka shumë rëndësi”, tha ministri.
Ndërkaq, ambasadori Cliff tha se brenda këtyre dy javësh do të jetë në Britani të Madhe dhe kërkesën dhe mundësitë që Kosova të marrë pjesë në ‘Londra 2012” do t’i diskutojë me të gjithë faktorët relevantë, si ata në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar ashtu edhe Komitetin Olimpik të Britanisë së Madhe.
Cliff po ashtu prezantoi para ministrit gatishmërinë për të mbështetur projektet dhe idetë që promovojnë sportin mes komuniteteve. Ambasadori kërkoi bashkëpunim nga ministri në këtë aspekt. Duke e falënderuar për këtë iniciativë, ministri Krasniqi premtoi angazhimin e tij që të realizohen projekte të tilla.