Ukraina ‘luan’ me xhudon kosovare

Si shumica e sporteve në Kosovë, edhe xhudo po përballet me probleme të vizave. Federata e Xhudos e Kosovës ka marrë një ftesë nga Federata Botërore e Xhudos për Kampionatin Botëror për kadetë në Ukrainë, i cili do të mbahet në kryeqytetin Kiev nga 10 deri më 14 gusht.
Mirëpo, udhëheqësit e xhudos kosovare, edhe pse i kanë marrë masat me kohë për pajisje me viza, po hasin në probleme. Ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje pozitive nga ambasada e Ukrainës në Shkup, ku e kanë bërë kërkesën për pajisje të xhudistëve me viza.
Trajneri Driton Kuka ankohet për hezitimin e shtetit ukrainas që t’i pajisë sportistët e tij me viza. “Vlen të ceket se shteti i Rusisë, përndryshe shtet që është kundër pavarësisë së shtetit tonë, ka mundësuar hyrjen në këtë shtet kohë më parë. Prandaj është i çuditshëm pozicionimi i tillë negativ i shtetit ukrainas për sportin tonë”, thotë Kuka.
Sipas tij, është mëkat nëse të rinjtë kosovarë nuk lejohen të marrin pjesë në këtë garë, e sidomos kadetja më e mirë kosovare Distria Krasniqi, e cila ka shkëlqyer në shumë gara dhe është kandidate për ndonjë medalje në këtë eveniment.
Përgatitjet e kadetëve janë duke vazhduar në vlugun më të madh, gjithnjë me shpresë që shteti i Ukrainës t’i lejojë sportistët kosovarë të marrin pjesë në këtë kompeticion.