Argjentina e kap çerekfinalen

Argjentina i ka treguar dhëmbët e saj në xhiron e tretë të fazës së grupeve, duke e mposhtur bindshëm Kosta Rikën me rezultat 3:0, për t’u kualifikuar në çerekfinale të Copa Americas. Mikpritësit e këtij evenimenti ishin të vetëdijshëm se, pas dy barazimesh, vetëm fitorja do t’i qonte përpara.
Dhe, ata sulmuan nga minuta e parë. Sergio ‘Kun’ Aguero ka realizuar dy gola për ‘Albiceleste’. Të parin e shënoi në fund të pjesës së parë, pasi iu kthye një top nga portieri kundërshtar, pas një gjuajtjeje të Gagos më parë. Kosta Rika është mbajtur sadopak në pjesën e parë, por ka dështuar totalisht në atë të dytë.
Sulmuesi i Atletico Madrid ka dalë në skenë sërish në minutën e 52-të, kur e shënoi golin e dytë të argjentinasve, pasi mori një top milimetrik nga Messi. Ky i fundit pati paraqitje të shkëlqyeshme. Ylli i Barcelonës asistoi edhe në golin e tretë, të cilin e realizoi Angel Di Maria (70’).
“Messi pati një paraqitje fantastike. Ai e di se si të dalë nga situata të tilla, ka karakter të fortë. Na nevojitej ta rikthenim besimin dhe e bëmë këtë”, ka thënë pas ndeshjes selektori i Argjentinës, Batista.
“Ne e ndryshuam mentalitetin dhe e mbajtëm topin, nuk ia lejuam vetes të ç’akordoheshim. Ne po e kërkojmë gjithmonë më të mirën nga ekipi”, vazhdoi 48 vjeçari.
Batista bëri ndryshime të mëdha në formacion duke i futur në lojë nga minuta e parë Gonzalo Higuain, Sergio Aguero, Angel Di Maria e Fernando Gago në vend të Carlos Tevez, Ever Banega, Ezequiel Lavezzi e Esteban Cambiasso. Dhe, ‘eksperimenti’ i tij solli fryt, pasi që Argjentina e shijoi fitoren e parë në këtë eveniment.
Kështu, Argjentina i bashkohet Kolumbisë, e cila një natë më parë e mposhti Bolivinë 2:0, në mesin e tetë skuadrave më të mira të këtij kompeticioni. Në çerekfinale, Messi dhe shokët e tij do të luajnë me të dytin nga Grupi C. Natyrisht, argjentinasit janë çliruar pas kësaj fitoreje dhe do të mundohen ta fitojmë Copa American, e cila zhvillohet në shtëpi të tyre.
Copa America
Rezultatet
Argjentina – Kosta Rika3:0
Kolumbia – Bolivia2:0
Tabela
1. Kolumbia7 pikë
2. Argjentina5
3. Kosta Rika3
4. Bolivia1