E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët në Gothia Cup

Gjakova, Liria dhe Besa do të marrin pjesë në kupën botërore të futbollit për të rinj, ‘Gothia Cup’, e cila do të mbahet në Suedi nga 18 deri më 24 korrik. Në këtë turne masiv pritet të marrin pjesë 1570 ekipe nga 73 vende të botës. Krahas ekipeve të meshkujve, në këtë kampionat do të marrë pjesë edhe ekipi i femrave, Malisheva. Nga Moral Pozhegu moral.pozhegu@gazetaexpress.com më 12 korrik 2011 në ora 11:32

Tri skuadra kosovare në konkurrencën e meshkujve, Gjakova, Besa dhe Liria, dhe një në atë të fermave, Malisheva, do të jenë pjesëmarrëse në edicionin e 37-të të kupës së botës për të për të rinj, ‘Gothia Cup’, e cila do të mbahet në Goteborg të Suedisë.

Sipas organizatorëve të këtij turneu masiv, i cili do të fillojë më 18 dhe do të mbarojë më 24 korrik, do të marrin pjesë një rekord klubesh, 1570 nga 73 vende të ndryshme të botës. Klubi i Gjakovës, në kuadër të shkollës së futbollit, do të marrë pjesë në këtë kampionat botëror për të rinj për herë të tretë.

Ekipi i kaltër do të marrë pjesë me dy ekipe, U-15 dhe U-18. Vitin e kaluar, ata arritën sukses të madh duke u renditur në pozitën e katërt me ekipin U-15. Ata synojnë që edhe këtë vit të lënë përshtypje të mira në Suedi.

“Ekipi është duke u përgatitur mjaft mirë falë punës së palodhshme të trajnerëve Gëzim Daka, Lirim Dujaka e Faton Brahushi, të cilët u kanë dhënë lojtarëve disiplinë frytdhënëse”, deklaroi për Express përfaqësuesi i KF Gjakovës, Besmir Haxhikadrija.

Kapiteni i ekipit gjakovar, Veton Gola beson se ekipi i tij do t’i përsërit sukseset e vitit të kaluar. “Jam i lumtur që do të marrim pjesë edhe sivjet në këtë kampionat, ku do ta përfaqësojmë Kosovën me emblemën e shtetit. Do të mundohemi të tregojmë paraqitje të mira dhe të arrijmë rezultate të kënaqshme”, theksoi Gola.

Kontingjenti i gjakovarëve do të niset për në Suedi të martën mbrëma (sonte) dhe do të përbëhet nga rreth 40 persona.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›