Kërkon njohjen sllovake
Udhëheqësi i Klubit për Politikë të Jashtme (KPJ), Veton Surroi, ka theksuar nevojën e mbështetjes sllovake për aspiratën europiane të Kosovës, që do të nënkuptonte gjetjen e formës se përshtatshme dhe do të mundësonte kontraktualitetin mes Kosovës dhe Bashkimin Europian.
Surroi i bëri këto komente gjatë qëndrimit në Bratislavë, ku një delegacion i shoqërisë civile nga Kosova po qëndron me ftesë të Komisionit Atlantik të Sllovakisë. Delegacioni i shoqërisë civile nga Kosova ka pasur takime me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme sllovake, përfaqësues politikë, parlamentarë dhe shoqërinë civile.
Në debatin publik me intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile “Kosova dhe Ballkani Perëndimor – Rruga përpara”, Surroi ka theksuar nevojën e përafrimit të qëndrimit të Sllovakisë me qëndrimin e 22 vendeve anëtare të BE-së karshi statusit t ë Kosovës.
“Sllovakia mund të ketë arsyet e veta, ose jo, prapa vendimit të saj për të mos e njohur Kosovën, por pas vendimit të GJND-se, Sllovakia dhe askush tjetër nuk mund të thirret më në të drejtën ndërkombëtare për të arsyetuar mosnjohjen e Kosovës”, ka deklaruar Surroi.