Strategji mbi Strategji
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Albin Kurti, ka vazhduar të lëshojë kritika në drejtim të politikës së jashtme të Kosovës.
Të enjten, në mbledhjen e Komisionit të udhëhequr nga Kurti, ka raportuar ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili ua ka dorëzuar Strategjinë për njohje anëtarëve të Komisionit.
“Ministri Hoxhaj madje ka pohuar se MPJ e ka hartuar listën e vendeve/shteteve të botës, të cilat kanë shprehur vullnetin ta njohin Kosovë, vendet që kanë qëndrim pozitiv për vendin tonë, ato që kanë qëndrim neutral, si dhe ato që nuk duan ta njohin, apo edhe që punojnë kundër Kosovës dhe afirmimit ndërkombëtar të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Megjithëkëtë, Hoxhaj ka premtuar se deri në shtator do të jetë gati edhe një dokument tjetër për politikën e jashtme.
“Ministri ka theksuar kontributin e gjerë të njohjeve, duke e përfshirë jo vetën angazhimin e MPJ’së, të Presidentit, të Kryeministrit e të zv./kryeministrave, por edhe të grupit për lobim, diplomacinë parlamentare, kontaktet e partive politike të Kosovës. Deri në shtator, MPJ do të ketë dhe Strategjinë e politikës së jashtme të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ndryshe, Ministri Hoxhaj pritet që në një takim tjetër me Komisionin të raportojë edhe për organizimin dhe efikasitetin e Shërbimit diplomatik të Kosovës, si dhe për monitorimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin diplomatik të Kosovës.