Pesëshja shqetësuese

Njohja e Kosovës nga Serbia mund të jetë parakusht për integrimin e saj në Bashkimin Europian pas rreth katër, pesë apo gjashtë vjetësh, vlerësojnë njohësit e integrimeve Europiane në Prishtinë.
Ata thonë se dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit duhet të shfrytëzohet për t’i normalizuar raportet ndërmjet palëve deri në momentin kur të dyja vendet të jenë të gatshme për t’u anëtarësuar në BE.
Sipas analistes Verena Knaus, aktualisht më shqetësuese është mungesa e pesë njohjeve të Kosovës brenda BE’së sesa mungesa e njohjes së shtetësisë nga autoritetet serbe.
“Mendoj se duhet të bëhet më shumë brenda BE’së; pesë shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën duhet t’u thuhet të ndalin bllokimin e progresit dhe, pavarësisht mosnjohjes, ta gjejnë një mënyrë për t’u balancuar që duke mos njohur Kosovën, t’ia mundësojnë BE’së që të hyjë në marrëdhënie kontraktuale, të ketë marrëveshje tregtare. Thjesht, ta bëjë të mundur perspektivën europiane të Kosovës në mënyrë që kjo të mos mbetet vetëm e shkruar në letër”, shprehet Knaus për Radion Europa e Lirë.
Komenti i saj pason deklaratat e përfaqësuesve të Bundestagut gjerman, sipas të cilave fundi i bisedimeve Prishtinë-Beograd duhet të jetë vendosja e kushtit për Serbinë që ta njohë Kosovën. Mirëpo, eksperti Shenoll Muharremi thekson se njohja nga Serbia nuk do ta ndihmonte as tani procesin e integrimit të vendit në BE.
“Edhe hipotetikisht, nëse Serbia e njeh nesër Kosovën - Kosova ka shumë probleme strukturale dhe fundamentale që nuk do t’ia mundësojnë të avancojë në proces të integrimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Muharremi.
Ditë më parë, komisionari për Zgjerim i BE’së, Stefan Fyle, theksoi rëndësinë që Kosova të përparojë në sundimin e ligjit - me theks të veçantë te reformimi i prokurimit publik, në procesin e ri-integrimit lidhur me liberalizimin e vizave, ndërsa shprehu shqetësimin për ngrirjen e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Muharremi thotë se është me rëndësi që autoritetet kosovare të përqendrohen më shumë në përmbushjen e kritereve të vëna nga BE-ja. Megjithatë, sipas tij, vazhdon të mungojë vullneti politik për ta bërë këtë.“Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ju e dini shumë mirë që nuk kemi pasur asnjë rast, apo ndonjë iniciativë që tregon se Kosova ka vullnet politik për t’i adresuar këto çështje. Gjithashtu, përmenden çështjet e funksionimit të ekonomisë së tregut dhe problemet ekonomike. Janë marrë disa vendime politike që e kanë dëmtuar stabilitetin financiar në Kosovë”, thekson Muharremi.
Gjithashtu, ekspertët theksojnë rëndësinë që proceset politike ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Europian të mos përzihen me ato teknike, e të cilat kanë të bëjnë me një varg reformash e kriteresh që duhet përmbushur në rrugën e integrimit.
Përparimi i palëve në përmbushjen e këtyre kritereve pritet të shihet në Raportin e radhës të Progresit që publikon Komisioni Europian në shtator të këtij viti.