Kërkon rastin e dytë

Luan Krasniqi do ta kërkojë rastin e dytë në karrierë për ta fituar titullin e kampionit të botës. Boksieri kosovar do t’i rikthehet ringut pas më shuam se dy vjetësh, më 26 shkurt të vitit që vjen, ndërsa e pret sfida ndaj amerikanit Jonathon Banks.
39-vjeçari mezi pret të rikthehet në ring. Ai beson shumë se do t’i ofrohet mundësia për të luftuar për titull kampioni ndaj njërit prej vëllezërve Klitschko, pas fitore eventuale ndaj amerikanit.
“Unë nuk dëshiroj që, kur t’i mbush 40 vjet, të qaj për mundësitë e lëshuara. Po kthehem në ring, sepse sporti e ka një sens dhe sepse unë e kam një mundësi që të bëhem kampioni i parë gjerman i peshave të rënda, pas Max Schmeling, të cilit i pata premtuar për një gjë të tillë. këtë edhe do të mundohem ta bëj”, tha Krasniqi për të përditshmen gjermane, Stuttgarter Zeitung.
Boksieri junikas nuk i harron ende sfidat të cilat i humbi gjatë karrierës profesioniste, në të cilat thekson se i mungoi fati. Në vitin 2005, në meçin e karrierës, ai u dorëzua ndaj amerikanit Lennox Lewis. Krasniqi thotë se, këtë meç e humbi për fije të flokut, pasi nuk pati forcë vetëm të qëndronte në këmbë dhe t’i mbante duart lart.
Kurse, për meçin e humbur nga Alexander Dimitrenko mendon se ukrainasi fitoi falë një goditjeje të fortë dhe me fat. Krasniqi, i cili në muajin maj do t’i mbushë 40 vjet, do t’i rikthehet këtij sporti pas plot 28 muajsh. Ai po stërvit intensivisht për sfidën e radhës. “E di se sa i rrezikshëm është boksi. Nuk do të rikthehesha, po të mos besoja në këtë sfidë”, shtoi ai.
Shoku i tij, Firat Arslan, beson shumë në aftësitë e kosovarit. “Kurrë më parë nuk e kam parë Luanin në formë më të mirë”, e lavdëron shokun e tij Arslan, një-ish boksier, i cili mendon se Krasniqi do ta ketë një mundësi të përballet me Vitali Klitschkon.