Grabisin 9 milionë në kazino, rrahin rojen
Tre persona me maska dhe të armatosur hynë në një pikë lojërash fati në kryeqytet duke marrë xhiron ditore
Grabitësit goditën me qytat e armëve një prej punonjësve të lokalit duke i shkaktuar atij dëmtime në trup
TIRANE- Tre persona të armatosur me automatik dhe pistoleta, grabitën 9 milionë lekë të vjetra dhe keqtrajtuan rojen e një qendre lojërash fati mesnatën e të dielës duke u gdhirë dita e djeshme në lagjen Laprakë të kryeqytetit.
Ngjarja ndodhi afër mesnatës së të dielës, kur persona ende të pa identifikuar nga policia hynë në lokalin e lojërave të fatit që ndodhet pranë kryqëzimit të rrugës së Durrësit me rrugën "Lord Bajron", duke marrë nga arka e lokalit gjithë shumën e parave që ndodheshin aty që i përkiste xhiros ditore.
Personat nuk janë mjaftuar me kaq, por kanë keqtrajtuar edhe rojen e objektit, për shkak se ky i fundit kishte tentuar të rezistonte, ndaj agresorëve të armatosur. Ai është dërguar në spital ku ka marrë mjekimin për shkak të plagëve të marra nga goditjet.
Grabitja
Sipas policisë, që i referohet deklarimeve të dëshmitarëve dhe të dëmtuarit, grabitësit kanë qenë tre persona të armatosur, dy prej të cilëve mbanin në duar dy pistoleta dhe një prej tyre kallashnikov. Në kokë mbanin maska për të mos u identifikikuar. Sapo i janë afruar kazinosë, ata janë penguar për të hyrë nga roja ndërsa më pas e kanë goditur atë, duke e lënë pa ndjenja.
Më pas autorët kanë hyrë në lokalin e lojërave të fatit duke kërcënuar me armë arkëtarin njëkohësisht punonjësin e kazinosë, për t'iu dhënë paratë. Nën kërcënimin e dy pistoletave dhe të një arme tjetër zjarri "Kallashnikov", punonjësit janë detyruar.
Hetimi
Pas ngjarjes autorët, janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, me një automjet nga vendi i ngjarjes, bashkë me shumën e majme prej rreth 900 mijë lekësh të reja. Policia, ka mbërritur në vendngjarje për të nisur hetimet, ndërsa një grup ekspertësh kriminalistë dhe hetues të zyrës së grabitjeve në policinë e kryeqytetit, kanë kryer veprimet hetimore në vendin e ngjarjes.
Këta të fundit, kanë marrë në pyetje, punonjësit e kërcënuar të sallës së lojërave të fatit, si dhe dëshmitarë të ndryshëm që ndodheshin në këtë ambient në momentin e krimit. Ndërkaq, ekspertët kriminalistë kanë administruar disa sende në vendin e ngjarjes, me dyshimin se mund të ishin prova për hetimin.
Pak minuta pas grabitjes, blutë e kryeqytetit kryen disa kontrolle në zonën përreth ngjarjes, ndërsa kanë shoqëruar rreth 10 vetë gjatë ditës së djeshme.