E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kermabon: “Me Beogradin vetëm bashkëpunim teknik”



Shefi i Misionit të BE-së në Kosovë, Iv de Kermabon ka deklaruar se është i gatshëm të merret vesh me autoritetet serbe por vetëm për bashkëpunim teknik. Në një intervistë për një radio lokale serbe, Kermabon ka komentuar qëndrimin e serbëve për të mos e njohur misionin e EULEX-it. Pala serbe, sipas tij, “për dy arsye e ka të vështirë të pranojë EULEX-in”. “Arsyeja e parë është se ekzistojnë shumë mosmarrëveshje dhe gjëra të pasqaruara. Në aspektin e bazës ligjore, njerëzit nuk janë të njoftuar me atë se çfarë është në të vërtetë EULEX-i. Arsyeja e dytë është politike, sikur edhe ajo e krimit të organizuar dhe për shkak se bashkësia serbe po e injoron këtë mision, sidomos në veri të Kosovës”,- ka thënë Kermabon. Megjithatë, shefi i EULEX-it ka thënë se është i gatshëm që me autoritetet serbe të merret vesh për bashkëpunim teknik. “Mendoj se duhet të ekzistojë bashkëpunimi. Do të dëshiroja të bisedoj me ministrin për Kosovën, Bogdanoviç, mirëpo vetëm në nivel teknik që me institucionet serbe të vendosim bashkëpunimin”,- ka shtuar ai.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›