Thaçi: “Për Kosovën nuk do të ketë ngrirje
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kundërshtuar mundësinë e ngrirjes së procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës kritikohet nga opozita për mungesë lobimi për pavarësinë në vendet arabe. Sipas tij, rruga e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, kalon nëpërmes Brukselit dhe Uashingtonit dhe jo nëpërmes adresave të dyshuara. Kështu i përgjigjet kryeministri, Thaçi, shumë kritikave që iu bënë qeverisë për mungesë lobimi në vendet e botës arabe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në konferencën ndërkombëtare që u zhvillua në Prishtinë, me temën “Kosova dhe bota arabe”, intelektual të shumtë nga vendet e botës arabe, por edhe nga Kosova, thanë se Kosova realisht nuk po zhvillon politikë të jashtme të mirëfilltë dhe kjo është njëra ndër arsyet se pse vendet e botës arabe akoma nuk e kanë njohur pavërësinë e Kosovës. “Gjithmonë në jetën time kam qenë optimist për Kosovën dhe jam super optimist për të ardhmen e vendit tonë për t’u integruar në NATO dhe BE. Për të ardhmen e Kosovës nuk do të ketë ngrirje, por do të ketë vetëm optimizëm dhe perspektivë integruese dhe zhvillim ekonomik”,- është shprehur kryeministri Thaçi. Njëri ndër më të zëshmit, që kritikoi qeverinë për mungesë lobimi për pavarësinë e Kosovës në vendet arabe, ishte publicisti Veton Surroi. Ai thotë se në procesin e njohjes së pavarësisë nuk duhet anashkaluar bota arabe. “Kosova i përket në formë të natyrshme Perëndimit, por ajo përkatësi nuk e mohon e as përjashton influencën e islamit, që ka lënë mbresa në vendin tonë”, është shprehur Surroi.
27 Gusht 2008