Kermabon: “Të gatshëm të fillojmë punën në dhjetor”
Shefi i EULEXI-it, Iv de Kermabon, ka konfirmuar nisjen e misionit më të madh europian në Kosovë në fillim të muajit dhjetor. Vendimi u konfirmua nga kryesuesi i Komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Xhanpaolo di Paola. Ai ka thënë se Kermabon u është drejtuar shefave të shtatmadhorive të vendeve anëtare të NATO-s, duke precizuar se pavarësisht komplikimeve politike, përgatitjet për nisjen e EULEX-it shkojnë mirë dhe çdo gjë do të jetë e gatshme për muajin e ardhshëm. Situata në Kosovë, posaçërisht bashkëpunimit mes NATO-s dhe EULEX-it, zuri vend të rëndësishëm të takimin e shefave të shtatmadhorive të vendeve të NATO-s.
Asambleja Parlamentare e NATO-s, që po zhvillon punimet në Valencia të Spanjës, ka kërkuar nga vendet anëtare të Aleancës të mbeten të angazhuara në sigurimin e paqes në Kosovë.
Në kuadrin e sigurimit të paqes dhe të sigurisë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer, është shprehur se “NATO-ja do të vazhdojë të punojë me të gjitha vendet në Ballkan, në Europën Lindore dhe në Kaukaz, që synojnë anëtarësimin në Aleancë”.
Bakojanis: “Kosovën do ta njohim shumë shpejt”
Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, theksoi se Greqia së shpejti pritet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo këtë e deklaroi në një intervistë për Televizionin “Vizion Plus” në Tiranë.
Kryediplomatja greke, Bakojanis, ka thënë se Greqia, pavarësisht se nuk e njeh Kosovën, do të duhet ta pranojë realitetin. “Problemi i Kosovës është një nga problemet më të vjetra të Ballkanit”, - ka thënë ajo. “Ne nuk e njohim pavarësinë e saj bazuar në principin e integritetit territorial, por nga ana tjetër, ne e dimë që lumi s’mund ta ndryshojë rrjedhën e tij”,- ka shtuar Bokojanis.
20 Nentor 2008