E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinë, 10 mijë persona protestojnë ndaj planit të OKB-së

Motoja e protestës ishte: “Ta mbrojmë sovranitetin e Kosovës”. Organizimi u bë nga rreth 20 organizata joqeveritare

Prishtina ka protestuar dje ndaj planit 6-pikësh të sekretarit të OKB-së, Ban Ki Mun, për vendosjen e EULEX-it. Rreth 10 mijë persona nga e gjithë Kosova dolën në Prishtinë për dy orë me parulla të shumta kundër sekretarit Ban Ki Mun dhe kundër ndarjes së vendit. Turma u mblodh para Bibliotekës Kombëtare për të vazhduar më tej me një marshim paqësor nëpër rrugët e kryeqytetit, duke formuar në mënyrë simbolike shkronjën “S”, që do të thotë “Sovranitet”. Motoja e protestës ishte “Ta mbrojmë sovranitetin e Kosovës”. Protestuesit u ndalën para institucioneve të Kosovës, ku kërkuan që të mbrohet Kushtetuta e vendit, sipas së cilës territori i Kosovës është një dhe i pandashëm. Në fund turma e njerëzve shkoi te ndërtesa e UNMIK-ut, ku u hodhën parulla kundër tij. Demonstrata u organizua nga shoqëria civile, ku bënin pjesë rreth 20 organizata joqeveritare, të cilat e quajnë veten “shoqëria civile e Kosovës”. Protesta u mbajt vetëm një ditë pasi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës i thanë “JO” përfundimisht planit të OKB-së dhe propozuan një plan të ri katërpikësh, i cili për bazë ka vetëm Kushtetutën e Kosovës. Organizatorët e protestës u shprehën se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe sipas tyre çështjet kapitale për Kosovën duhet të hidhen në referendum. Udhëheqësit politikë kosovarë nuk e kanë përkrahur më parë protestën. Sipas tyre, Kosova ka institucionet e saj, të cilat u përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe vendit. Presidenti, Fatmir Sejdiu, më herët ka deklaruar se ai i kuptonte shqetësimet e qytetarëve, por kujton se politika kosovare tashmë e ka thënë fjalën e vet kundër planit gjashtëpikësh të OKB-së. Protesta e së mërkurës u konsiderua si më e madhja në këto vitet e fundit. Analistët nga ana e tyre vlerësojnë se plani i OKB-së garanton një autonomi të përkohshme për doganat, policinë dhe gjyqësinë në vendbanimet serbe. Plani, që mori pajtimin e shumë vendeve të Bashkimit Europian, është sfida e parë që i bëhet Kushtetutës së Kosovës. Autoritetet kosovare disa herë kanë tërhequr vërejtjen se prania e shumë misioneve ndërkombëtare në Kosovë do ta bëjnë vendin jofunksional dhe do të sjellë telashe në vendimmarrje. Kjo sipas tyre do të ishte shkelje e Kushtetutës.

DEKLARATË
Veliaj: “Basha të reagojë për Kosovën‏”

Kryetari i grupimit politik “G99”, Erion Veliaj, nëpërmjet një deklarate për shtyp i ka bërë thirrje shtetit shqiptar dhe në veçanti Ministrisë së Jashtme, të reagojnë ndaj situatës së krijuar në Kosovë dhe protestës së zhvilluar dje për kundërshtimin e planit të OKB-së. “Jemi në këtë ditë kur e gjithë Kosova proteston ndaj planit 6-pikësh për të treguar solidaritetin tonë të plotë dhe mbështetjen për qeverinë dhe popullin kosovar. Ky plan me 6 pika në të vërtetë noterizon ndarjen duke cenuar integritetin territorial dhe pavarësinë vendimmarrëse të Kosovës, dhe si i tillë, nuk është në interes të popullit kosovar. Jemi këtu gjithashtu për të dënuar indiferencën dhe heshtjen e papranueshme të shtetit shqiptar dhe sidomos diplomacisë shqiptare, e cila nuk është treguar aspak aktive në kontrast të plotë me politikën e jashtme të shtetit serb, në mbrojtje të bashkëkombësve të saj. Ministri ynë i Jashtëm, zoti Lulzim Basha, ka mbetur indiferent ndaj kësaj çështjeje. Kjo nuk është hera e parë. Është një indiferencë njësoj si në rastin kur Ministria e Jashtme nuk reagoi ndaj rrahjes së shqiptarëve në komisariatet e policisë greke dhe segregimit të fëmijëve shqiptarë në shkollat italiane. Ne i bëjmë thirrje ministrit Basha të tregohet më aktiv dhe t’u kushtojë të paktën po aq vëmendje interesave të shqiptarëve kudo ku janë, çështjes kombëtare dhe Kosovës sa ç’po i kushton Prokurorisë”, - përfundon deklarata.

Jeremiç: “Kemi marrë garanci se plani nuk do të ndryshojë”

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën me siguri do të mbahet të hënën apo të martën e ardhshme. Jeremiç tha se Serbisë i janë dhënë garanci se plani 6-pikësh nuk do të ndryshohet. Sipas tij, Beogradi nuk do të bisedojë më për vendosjen e misionit të Bashkimit Europian EULEX, pasi “tashmë është arritur marrëveshja me OKB-në, të cilën e kanë mbështetur të gjitha shtetet anëtare të organizatës. “Ne i çmojmë shumë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për t’i bindur organet në Prishtinë se rruga e kompromisit është rruga e vetme që shpie drejt stabilitetit në Kosovë. Përsa na përket ne, bisedimet kanë marrë fund”, - është shprehur Jeremiç. Zyrtarët serbë më herët kanë deklaruar se do ta pranojnë vendosjen e EULEX-it në Kosovë në qoftë se misioni miratohet nga Kombet e Bashkuara, nëse do të jetë neutral ndaj statusit dhe nëse nuk e zbaton planin e Ahtisarit. Plani gjashtëpikësh i Kombeve të Bashkuara, i pranuar nga Serbia, është hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare.

Serbia, kërkime intensive për gjetjen e Mlladiçit

Ashtu siç është këshilluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, Serbia po bën kërkime intensive në kërkim të të akuzuarit për gjenocid, Ratko Mlladiç. Lajmi u konfirmua nga zyrtarët më të lartë serbë në takim me kryeprokurorin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë. Deklarata u bë nga zyra e presidentit serb, Boris Tadiç. Mes të tjerash në deklaratë theksohet se Serbia po e “kërkon intensivisht” Mlladiçin dhe të akuzuarin tjetër, ish-udhëheqësin e serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç. Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, muajin e ardhshëm do të paraqesë raportin për bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën.
Raporti është vendimtar për integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›