E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skemat amerikane për të shkëputur Lindjen nga Bashkimi Sovjetik



Vijon nga numri i kaluar

Procesi i finlandizimit të vendeve të Europës Lindore është një model i mirë për të shkëputur lidhjet e tyre me Bashkimin Sovjetik. Ky është ndër propozimet e hedhura nga ekspertët amerikanë në dhjetor të vitit 1975. Sipas arkivave të deklasifikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, mekanizmat e integrimit të vendeve lindore në organizatat ndërkombëtare do të sjellin më shumë mundësi për të dobësuar rolin e sovjetikëve në arenën e politikës botërore. Por specialistët amerikanë tregohen skeptikë për rolin e Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (sot OSBE-ja). Madje, disa pohojnë se ky organizëm nuk do të jetë në gjendje që të kryejë siç duhet misionin e tij. Më poshtë po publikojmë pjesën e dytë të materialit sekret në takimin e mbajtur nga ekspertët amerikanë për çështjet e lindjes në dhjetor të vitit 1975.
Situata në Hungari dhe Rumani
Në një proces të ngjashëm tani është duke u përfshirë edhe Hungaria. Shfaqja e Janosh Kadar-it ka qenë e mrekullueshme në gjetjen e mënyrave, që janë të pranueshme për Bashkimin Sovjetik, që po nxisin rrënjët hungareze dhe aspiratat natyrale të popullit.
Ai ka udhëhequr një sërë eksperimentesh në sektorët socialë dhe ekonomikë në vend. Në një nivel më të lartë, ai ishte në gjendje ta bënte këtë për shkak se sovjetikët kanë katër divizione në Hungari dhe për shkak se ata nuk kanë qenë rastësisht të shqetësuar.
Ai ka aftësinë të përdorë praninë e tyre si një mburojë sigurie për sovjetikët në një mënyrë që të ketë përparësi për të zhvilluar vendin e tij. Panorama rumune është ndryshe si një vend që pret nga ndryshimi i historisë së saj. Rumunët kanë luftuar për autonomi, por ata kanë qenë më pak të guximshëm dhe novatorë në sistemet e tyre të brendshme. Ata mbahen në radhën e vendeve më të ashpra në organizimin e brendshëm të sistemit të tyre.
Politikat amerikane
Pa e ndërmarrë një tur të gjerë në këto vende, unë jam duke u përpjekur që të ilustroj mënyrën në të cilën ne shohim politikat tona. Ne kërkojmë të ndikojmë në shfaqjen e fuqisë perandorake ruse, duke vendosur një themel më natyral dhe organik; kështu që kjo do të vazhdojë të jetë e bazuar në pushtetin e saj absolut. Unë pranoj argumentet se jemi duke ndihmuar në mbajtjen e kontrollit nga Bashkimi Sovjetik në Europën Lindore. Unë do të argumentoj sërish se nuk ka një alternativë tjetër hapjeje për ne sesa të ndikojmë në mënyrën se si po përdoret fuqia sovjetike.
Zoti Hartman: Faleminderit Hal. Unë mendoj se kjo ka qenë një nga analizat më të plota që unë kam dëgjuar rreth kësaj situate. Unë dëshiroj të bëj një koment, nëse mundet, rreth fuqisë sovjetike në botë. Ekziston një çudi, sipas së cilës sistemi i tyre duket më joshës në tërë botën. Kur populli adapton forma autoritare të qeverisë, për shembull si në rastin e Afrikës, kjo lloj qeverisjeje mund të jetë një farë perdeje në gjuhën e ideologjisë.
Justifikimet për sistemin sovjetik mund të mbështesin prirjet natyrale të disa prej këtyre qeverive të tjera. Dhe nuk ekziston asnjë çudi tjetër. Në Europën Perëndimore ekzistojnë nga ata që mendojnë se ka përfitime në zhvillimin e komunizmit në shoqëritë e tyre, të cilat janë ndryshe nga Lindja, ku ata kanë parë sistemin që funksionon dhe për këtë ata janë përpjekur të përshtatin disa mënyra të gjërave që janë bërë në Perëndim. Unë mendoj se kjo është një gjë që ia vlen të vëzhgohet dhe se ne nuk na duhet të jemi kaq agresivë.
Dobësitë e sovjetikëve
Ambasadori Richardson: Hal, unë po ju pyes nëse është e mundur që ju të më qartësoni diçka. Është e dukshme se sistemi sovjetik është i paaftë në shpërndarjen e pushtetit, që nuk mund ta decentralizojë dhe se i mungon siguria e brendshme apo aftësia për të kontrolluar transferimin e pushtetit. Si mundet që një shoqëri apo një regjim si ky të bëhet organik nëse ata kanë dështuar së brendshmi? Dhe unë nuk shoh se si ata mund të lejojnë shtete në kufi me ta që të zhvillohen më shpejt se sa vetë ata. Si e parashikoni ecurinë e procesit që ju parashtruat më natyrshëm?
Zoti Sonnenfeldt: Të gjitha këto varen nga sovjetikët. Ata kanë marrë disa novacione, megjithë rebelimin e shumë prej europiano-lindorëve, që kanë qenë në disa raste më tepër të guximshëm se sa Bashkimi Sovjetik; për shembull në Poloni dhe Hungari. Por ju keni të drejtë. Çelësi është në Moskë. Pse unë duhet të rrah çekanin në disa çështje si ato që diskutuam dje. Nëse ne vazhdojmë të jemi të preokupuar me zhurmat, siç bëmë në vitet ‘40 dhe ‘50, dhe injorojmë sistemin e levave që kapet prej nesh, atëherë ne do të jemi në një shteg të gabuar.
Bashkimi Sovjetik nuk është më i mbyllur kaq hermetikisht siç duket. Ata pranojnë nevojën për një sistem botëror dhe nevojën e shteteve të industrializuara për të përdorur këtë mundësi që të ndikojnë në këtë zhvillim. Unë nuk e kam fjalën se ne duhet të përfshihemi në politikat e Kremlinit, por ekzistojnë dritare të tjera dhe ne duhet t’i kërkojmë dhe të nxisim zhvillimin e kompeksitetit në sistem.
Finlandizimi i Europës Lindore
Siç e kam thënë edhe më parë, argumenti në Uashington është se si ju mund të lejoni veten të ndihmoni atë popull që ndihmon armikun tuaj? Ju pikërisht jeni duke ngritur fuqinë e tyre. Mirë. Por nëse ju mbani atë pozicion, ju jeni të humbur. Por nëse ju nuk e përdorni atë, pastaj ekziston një mundësi historike që të godisni këtë gjigant në disa mënyra; ashtu siç ai shfaqet në skenën ndërkombëtare. Kështu që unë jam dakord me paraqitjen tuaj. Ekziston mundësia e “finlandizimit” në Europën Lindore; kështu që ne kemi nevojë t’u afrohemi këtyre problemeve me kujdes dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme, për të qenë pranë shumicës së europiano-lindorëve. Dhe këtu duhet të jemi të rezervuar me Perëndimin.
Unë mund të them një fjalë në këtë drejtim, rreth Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE-ja sot, - shën. red.). Këtu është një çështje në të cilën ne kemi bërë për veten tonë një padrejtësi të tmerrshme. Ju e dini se unë nuk isha optimist rreth tërë procesit të OSBE-së; gjithashtu sekretariati ishte i dyshimtë. Por, ne u përfshimë për një numër arsyesh, por jo se këtë e dëshironin europiano-lindorët.
Por, në qoftë se fjalët mund të bëjnë diçka, OSBE-ja e pranoi nevojën për ndryshim. Ajo nuk njohu hegjemoninë sovjetike. Nuk ekziston asgjë në dokumente rreth hegjemonisë dhe sovjetikët janë duke e zbuluar me ngadalë një gjë të tillë. Pse shtypi amerikan dëshiron që presidenti Ford të provojë një platformë; të predikojë dhe shpallë zotimin amerikan për një evoluim të natyrshëm. Unë nuk e di. Nuk e kam kuptuar kurrë atë, apo pse kjo gjë është konsideruar një koncesion për Brezhnjevin. Unë nuk e kuptoj. Kjo është vetëplagosje që është totalisht e panevojshme. Kështu që OSBE-ja dhe mbështetësit e saj duhet ta shohin në një kontekst më të gjerë, të cilin unë e kam planifikuar dhe duhet aplikuar te vende të veçanta në mënyra të veçanta. Kjo kërkon kuptimin e ngjyrimeve. Dean Rusk na thotë se ne duhet të trajtojmë vendet komuniste në mënyra të ndryshme. Krejt pa interes, ne duhet të kuptojmë se në çfarë mënyre ata janë të ndryshëm. Dhe që prej andej, a janë të aftë ata të aplikojnë për t’u anëtarësuar në OSBE?

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Debatet e ekspertëve: Si mund të përdoret OSBE-ja kundër Bashkimit Sovjetik

Komentet e ambasadorit Soessel rreth fuqisë së Bashkimit Sovjetik dhe ndikimit të tij në Lindje

Si mund të përdoret Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë për dobësimin e sovjetikëve

Përparësitë dhe defektet në realizimin e procesit të “finlandizimit” të vendeve të Europës Lindore

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›