Athina refuzon emrin e propozuar nga Nimiçi
Edhe këtë herë Athina ka refuzuar propozimin më të fundit të ndërmjetësit për bisedime, Methju Nimiç për emrin e Maqedonisë “
“Republika e Maqedonisë e Veriut”, duke e konsideruar atë si të papranueshëm. Shkak për këtë refuzim mendohet të jenë edhe zgjedhjet e parakohshme pranverën e ardhshme. Pala greke po planifikon një tjetër veto për Maqedoninë dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Kryetari i parlamentit grek, Dimitris Siufas u ka dërguar një letër homologëve të tij të vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, me të cilën i informon mbi qëndrimet e Greqisë në çështjen e emrit. Në letrën e tij, ai ka theksuar se vendi i tij ka bërë dhe po bën çdo përpjekje, në kuadrin e Kombeve të bashkuara, që të gjendet një zgjidhje reciprokisht e pranueshme dhe se tregon në negociata mirëbesim dhe frymë konstruktive. Ndërkohë burime diplomatike në Maqedoni, janë cituar të kenë thënë se vendi mund të pranojë ndryshimin e emrit, por vetëm nësë i shtohet ndonjë fjalë emrit kushtetues “Republika e Maqedonisë”.
Reformat në sistemin gjyqësor, kusht për integrimin e Maqedonisë në BE
Reformimi i sistemit gjyqësor në Maqedoni dhe përshtatja e tij me vendet e BE-së është parashtruar si kërkesë e menjëhershme para autoriteteve të Shkupit, pothuajse në çdo vizitë që kanë bërë në Maqedoni përfaqësues të lartë të Brukselit. Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere thotë se Maqedonisë i është bërë thirrje të përfundojë reformat e nevojshme në pushtetin gjyqësor, në mënyrë që të ketë shanse për të marrë një vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian. “Maqedonia është kritikuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit ndërkombëtarë për ngecje evidente në reformat në gjyqësi. Prandaj çdo vonesë në këtë drejtim do të jetë me pasoja negative për rrugëtimin e vendit drejt antarësimit në BE”,- thotë Ervan Fuere. Komisioni Europian është i prirur të japë propozimin për fillimin e bisedimeve, por që të bëhet kjo, duhen argumente reale, që shteteve anëtare t’u tregohet se vendi ka mbaruar pjesë të rëndësishme të punës, vlerëson ambasadori Fuere.
20 Gusht 2009