E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kermabon s’e sheh të udhës të japë dorëheqje

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Yves de Kermabon, ka përjashtuar mundësinë që të japë dorëheqje nga detyra, për shkak të skandalit me policët rumunë që punojnë në misionin EULEX, të cilët u zunë në kufirin Kosovë-Maqedoni, nga doganierët e vendit fqinj, duke kontrabanduar cigare dhe alkool.

Kermabon, i cili vizitoi sot Gjilanin, i pyetur se a do të japë dorëheqje nga misioni, nëse dalin të sakta akuzat për këtë skandal, është shprehur se është përgjegjës i një misioni dhe për sjelljen e disa individëve nuk është e udhës që të japë dorëheqje.

Ai ka thënë se duhet pritur rezultatet e hetimeve, por ka shtuar se lidhur me këtë ka reaguar menjëherë dhe ndodhet në kontakte të vazhdueshëm me autoritetet rumune dhe ato në Bruksel dhe nëse kjo akuzë konfirmohet, atëherë do të merren masa të rrepta.

Kermabon ka pranuar se ndihet i shqetësuar për imazhin e EULEX-it, por tha se më tepër shqetësohet për imazhin e Kosovës ngase, siç u shpreh ai, ndodhet këtu për suksesin e Kosovës, e jo për suksesin e misionit EULEX, transmeton KosovaPress.

Ai ka shtuar se sjellja e ligë e një apo disa personave nuk mund të ndikojë në tërë operacionin e një misionit, por shtoi se për rastin konkret duhet fillimisht të priten rezultatet e hetimeve, pastaj të flitet për hapat e mëtutjeshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›