E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilla për t’u mbrojtur në plazh nga infeksionet e lëkurës

Stina e verës është periudha më problematike për lëkurën. 

AIDA MALAJ

Ndër shqetësimet më të shpeshta dhe më të përhapura që ndeshen në këtë periudhë, janë infeksionet e lëkurës. Uji i ndotur i detit apo pishinave, rëra e plazhit, shndërrohen në “burim” sëmundjeje për lëkurën. Në një intervistë për “Panorama” mjeku dermatolog, Selman Lirëza, shpjegon se çfarë rreziqesh mbart sëmundja dhe si mund të mbrohemi prej saj:
Doktor, është e vërtetë që gjatë stinës së verës, një nga shqetësimet më të shpeshta që shfaqen, janë infeksionet në lëkurë?
Infeksionet e lëkurës janë një grup patologjish që kanë një incidencë të shpeshtë dhe prekin një kontingjent të konsiderueshëm personash, gjatë stinës së verës. Plazhi është arsyeja kryesore e shfaqjes së këtyre patologjive. Kontakti i drejtpërdrejtë me faktorët shpërthyes: stafilokoku dhe streptokoku (mikrobe patogjenë), që ndodhen në ujin e detit dhe të pishinave apo rërë, shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre problemeve me lëkurën. Pastaj sigurisht që sëmundja shfaqet atje ku gjen terren të përshtatshëm, që do të thotë se varet dhe sistemi imunitar, i cili dihet që gjatë verës, tenton të dobësohet dhe për pasojë preket më lehtë nga mikrobe të ndryshme, që qarkullojnë në mjedisin e jashtëm.
Ju thatë se faktor kryesor në shfaqjen e sëmundjes, është plazhi. Cilat do të ishin disa këshilla që mund të mbrohemi, tani që është dhe sezoni i plazhit?
Këshillat përkojnë me shmangien në maksimum të mikrobeve patogjenë që e shkaktojnë këtë grup sëmundjesh, pra stafilokok dhe streptokok, që mund të hasen kryesisht në rërën e ndotur dhe në ujin e pishinave, shezlong, etj. Prandaj rekomandohet që sapo të dilni nga uji i detit apo i pishinave, të shpëlani menjëherë trupin me ujë të pastër, të ëmbël. Po ashtu rekomandohet përdorimi i peshqirëve të plazhit, në mënyrë që të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë i lëkurës me rërën apo shezlongët e plazhit. Pasi ekspozimi për një kohë të gjatë dhe i papërshtatshëm ndaj këtyre faktorëve, shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre sëmundjeve të lëkurës. Është mjaft e rëndësishme që personat që kanë pasur probleme të tilla më parë, apo që kanë ndjeshmëri të lartë të lëkurës, rekomandohet që nëse kanë planifikuar të shkojnë në plazh, të konsultohen më parë me një mjek specialist. Në mënyrë që të shmanget ripërsëritja e sëmundjes, te personat e predispozuar.
Çfarë rreziku mund të shfaqet nga kjo sëmundje?
Së pari, rreziku qëndron në faktin se janë ngjitëse. Ato mund të transmetohen lehtë nëse nuk respektohen kushtet higjieno-sanitare, të tilla si përdorimi i të njëjtin peshqir, përdorimi i të njëjtave veshje, etj., dhe sigurisht nëse gjen terren të përshtatshëm për t’u shfaqur. Veç kësaj, mund të ndodhë që sëmundja të përhapët në trup dhe të japë komplikacione që kërkojnë trajtim më të gjatë dhe shenjat të bëhen më të rënda.
Kur duhet t’i drejtohemi mjekut?
Rekomandohet që te mjeku specialist duhet të drejtoheni menjëherë, sapo shfaqen elementët e parë të sëmundjes, në mënyrë që të parandalohet acarimi i sëmundjes dhe të shmanget kronicizimi i saj.
Nëse shfaqet çfarë rekomandohet për kurimin e tyre?
Mjekimi për këtë grup sëmundjesh është kompleks dhe individual, pasi varet sipas fazës së kapjes së sëmundjes. Kështu nëse kapet në fazën e parë, kur sapo janë shfaqur shenjat e para, mjekimi bëhet vetëm lokalisht. Por nëse gjendja  është e agravuar, mjekimi shoqërohet dhe me antibiotikë. Gjithsesi është vetëm mjeku specialist ai që përcakton skemën e mjekimit.
A shërohet plotësisht?
Nëse kjo sëmundje kapet dhe trajtohet në kohë, mund të kurohet mjaft mirë brenda pak ditësh. Por nëse nuk shfaqen faktorët shpërthyes, atëherë sëmundja mund të rishfaqet, të riakutizohet dhe të kërkojë trajtim nga e para. Këto janë sëmundje që nuk lënë imunitet, prandaj duhet të tregohet një kujdes i vazhdueshëm, sepse mund të përsëritet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›