E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak, PD, me buxhet alternativ



Grupi i këshilltarëve demokratë do të paraqitet sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës me një draft të ri për buxhetin e kryeqytetit. Anëtari i këtij këshilli, z. Flamur Noka, tha dje për “standard” se grupi demokrat nuk do të pranojë projektbuxhetin e prezantuar nga kryebashkiaku Rama, por do të propozojë ndryshime rrënjësore në mënyrën e hartimit të tij.

“Ne kemi detajuar propozimet tona dhe kemi arritur në një draft të përshtatshëm me kërkesat e komunitetit, – tha z. Noka. – Nuk kemi për të votuar projektbuxhetin që parashikon investime vetëm për 30 për qind të Tiranës dhe që mban rezervë për arsye elektorale 10 për qind të totalit të tij”.

Anëtari i Këshillit Bashkiak për Partinë Demokratike u shpreh se amendamentet e kryera nga kjo forcë politike kanë qenë në përputhje të plotë me njësitë bashkiake. “Ju jeni në dijeni se nga 11 njësi bashkiake që ka Tirana, 7 janë shprehur kundër projektbuxhetit, që të gjitha investimet i ka të grumbulluara në katër njësitë e tjera. Dhe kjo bëhet vetëm për arsyen se në ato 4 njësi, kryetar janë të besuarit e Edi Ramës”, – tha z. Noka.

Ndërkohë, ndryshimet parashikojnë edhe heqjen e fondit të komunitetit, që do i jepte të drejtën kryetarit të bashkisë të dislokonte 10 për qind të buxhetit, pa marrë parasysh Këshillin Bashkiak. “Ne nuk mund të votojmë një fond të tillë, që është vetëm për arsye korruptive. Ka një ligj për buxhetin, që i ka të mirëpërcaktuara termat dhe fondet e mundshme. Fondi për komunitetin është një shpikje e Ramës për arsye korruptive”, – u shpreh këshilltari demokrat.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka një qëndrim parimor. “Ne kemi kërkuar disa ndryshime shumë konkrete të cilat Bashkia e Tiranës as që i ka dëgjuar, - u shpreh Noka. – Ne duam që lekët e buxhetit të shkojnë atje ku duhet, dhe jo atje ku do njëri apo tjetri”.

Dy ditë më parë, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishte deklaruar se do të votonte kundër buxhetit. Sipas kryetares së këshilltarëve të LSI-së, Monika Kryemadhi, nuk dihen arsyet se pse nuk po ndërtohet Unaza e Madhe, por edhe pse nuk po ndërtohen banesat e të pastrehëve. "Duam të dimë se sa fusha sporti do të ketë për fëmijët tani dhe cilat do jenë rrugët që do ndërtohen përfundimisht, pa pasur nevojë për rikonstruksion pas një viti, – kishte thënë ajo. – LSI-ja kërkon të dijë se ku do të shkojnë 19 milionë euro për 2009-n".

Nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 mars, atëherë Këshilli Bashkiak shkrihet dhe kalojnë në zgjedhje të parakohshme. PD dhe LSI kanë kërkuar plotësimin e disa kërkesave të tyre, për të votuar pro buxhetin e Bashkisë së Tiranës, por në të gjitha mbledhjet e deritanishme buxheti është paraqitur pa asnjë ndryshim. Për këtë arsye, dy forcat politike, që së bashku përbëjnë shumicën në këshill, kanë votuar kundër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›