E Diel, 1 Nëntor 2026

Peticioni për njohjen e Kosovës nga Konferenca Islamike, mijëra firmëtarë



“A do vini të firmosni?” Këtë pyetje që dëgjohej dje në mëngjes përpara xhamisë së Ethem Beut, shumë e shihnin me mosbesim, deri në çastin që merrnin vesh arsyen dhe shkonin me gjithë familjen për të nënshkruar. Një grup nismëtarësh myslimanë kanë kërkuar dje nga të gjithë qytetarët e Tiranës që të hidhnin firmën mbi një peticion që do t’u dërgohet shteteve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Peticionet

“Ne kemi që në mëngjes që kemi dalë këtu dhe do të qëndrojmë edhe ditët në vijim, duke pritur që çdo shqiptar të hedhë firmën e tij në këtë peticion, – na thotë një prej të pranishmëve. – Ne sot nisëm punën, por deri tani nuk kanë pushuar njerëzit së ardhuri, duke nënshkruar peticionin”.

Kërkesës së tyre i janë përgjigjur të gjithë qytetarët që u kishte rënë rruga nga qendra e Tiranës. Pasi kanë dëgjuar thirrjen dhe mbi të gjitha arsyen e nënshkrimit, ata i kanë vjedhur mëngjesit pesë minuta për të bojatisur mbi fletë, emrin, mbiemrin, profesionin dhe firmën e tyre.

“Në fillim mendova se do ishte ndonjë peticion për shamitë në kartat e identitetit, – thotë Brunilda, që ndonëse nuk është myslimane, në këtë rast nuk mund të mos bashkohej me grupin organizator. – Kur më thanë që ishte për Kosovën, firmosa menjëherë, edhe për familjen time” – na thotë, duke shtuar: “Në këtë rast s`mund të shohim fenë, jemi të gjithë shqiptarë”.

Vetëm në orët e para të mëngjesit, në xhaminë e Ethem Beut, sipas organizatorëve, ishin mbledhur më shumë se 200 firma, duke u kthyer në këtë mënyrë, në një ogur të mirë për mbarëvajtjen e kësaj nisme. Ndërkohë, edhe në të gjitha xhamitë e tjera të kryeqytetit ishin vendosur stenda për të pritur çdo person që dëshironte t`i bënte thirrje Organizatës së Konferencës Islamike për të njohur Kosovën.

Organizata

Pavarësia e Kosovës deri tani është njohur nga 54 shtete të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por vetëm nga tetë shtete të Konferencës Islamike, prej të cilave vetëm një shtet arab, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në seancën e fundit të organizatës së Konferencës Islamike është kundërshtuar pavarësia e shtetit më të ri nga Azerbajxhani dhe Egjipti. Ndërkohë që një nga shtatë qëllimet e kartës së kësaj organizate që është edhe dokumenti bazë, thotë se vendet anëtare duhet t’u japin mbështetje të gjithë myslimanëve që luftojnë për ruajtjen e dinjitetit të tyre, pavarësisë dhe ligjeve kombëtare.

Intervista / Organizatori i grupit nismëtar flet për mbledhjen e firmave për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Hoxhallari: Si do të kërkojmë njohjen e Kosovës nga vendet islamike

Intervistoi: Ardit Bido

arditbido@journalist.com

Të gjitha firmat e mbledhura nga qytetarët shqiptarë do të dorëzohen në ambasadat e vendeve islamike, si edhe në Organizatën e Kombeve Islamike. Ilir Hoxhallari, organizator i grupit nismëtar për mbledhjen e firmave për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga shtetet e Organizatës së Vendeve Islamike, sqaron për “standard” etapat që do të ndiqen dhe pritshmëritë e tij. “Mjaft studentë shqiptarë kanë nisur të publikojnë lajmin në vendet ku jetojnë”, – bën të ditur ai, duke shtuar se mijëra shqiptarë kanë firmosur tashmë peticionin.

Gjatë gjithë ditës së sotshme (dje) keni mbledhur firma, duke i bërë thirrje Organizatës së Konferencës Islamike për të njohur pavarësinë e Kosovës. Si lindi kjo nismë dhe përse në këtë kohë?

Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje atë që ndodh me popullin e Kosovës që nga viti 1999, që përfundoi me kulmimin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit të kaluar. Natyrisht, nuk mund të paragjykonim procesin e njohjes, pasi ky është një proces politik, ndoshta shumë më i ndërlikuar se ajo që mund të debatojmë ne. Por, një vit pas shpalljes së pavarësisë, ne kemi gjykuar si të vonuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e Konferencës Islamike. Si vëllezër të një besimi me këto vende, duke gjykuar në të drejtën elementare që rrjedhin nga konventat më të njohura botërore, ne u jemi drejtuar qeverive të vendeve, pjesëmarrëse të Konferencës Islamike, që në emër të paqes, lirisë dhe të së drejtës, të vendosin njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës dhe të shmangin qëndrimin e tyre hezitues. Ne besojmë se njohja e pavarësisë nga ana e tyre do të përshpejtonte pranimin e Kosovës si shtet i pavarur në të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, e si rrjedhojë, do të përshpejtonte rindërtimin dhe integrimin e Kosovës. Ky hap do të ishte i rëndësishëm për mbarë shqiptarët, ndaj dhe ne kërkojmë të jemi vetëm një katalizator në këtë rrugë, që në gjykimin tonë, duket e pandalshme.

Si po pritet kjo nismë? A jeni të mbështetur zyrtarisht nga Komuniteti Mysliman Shqiptar?

Më lejoni që në emër të organizatorëve, fillimisht të shpreh kënaqësinë e madhe për mbështetjen që ka pasur kjo iniciativë. Sot që po flasim, mund të them se janë mijëra firma dhe kjo besoj se justifikon më së miri këtë iniciativë. Besoj se pjesë e firmosjes së këtij peticioni do të jenë shumica e qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe nuk ka dyshim që edhe Komuniteti ynë është pjesë ë këtij shqetësimi. Por, edhe pse kjo ishte një iniciativë e përfaqësuesve të xhamisë “Dine Hoxha”, mund të them me kënaqësi që sot që po flasim, u përket shumë shqiptarëve që e kanë firmosur e që po vijojnë ta firmosin.

Çfarë do të bëhet me këtë peticion? A do të paraqitet përpara OKI-së?

Ky peticion ka nisur të bëhet publik në disa media në vendet arabe që në momentin e inicimit. Mjaft studentë shqiptarë kanë nisur të publikojnë lajmin në vendet ku jetojnë. Ndërkaq, pas firmosjes, në mendojmë t’ua nisim ambasadave të vendeve arabe në Tiranë, si dhe OKI-së, si ombrellë e këtyre vendeve.

Nuk jemi mësuar me veprime të tilla nga bashkësitë fetare...

Ky është një konstatim i drejtë, të cilin ne duhet ta marrim edhe si një lloj kritike. Kjo iniciativë është pjesë e natyrshmërisë së jetës sonë, sepse për myslimanët është shumë i rëndësishëm atdheu, kombi. Për hir të së vërtetës, myslimanët kanë shumë aktivitete sociale, por është në natyrën tonë që të mos jemi shumë publikë. Megjithatë, është koha që zëri ynë të jetë më i pranishëm në shoqëri, për të përçuar vlerat humane dhe atdhetare, të cilat janë traditë e myslimanëve shqiptarë, një traditë që vjen nga parimet e fesë sonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›