Spitali Pediatrik ; Rama viziton fëmijët me sëmundje gjaku
Kryetari i Bashkisë së Tiranes, Edi Rama, ka vizituar dje pacientët e vegjël në pavijonin e onkohematologjisë në Spitalin Pediatrik.
Një grup të rinjsh nga Rrjeti Rinor i Bashkisë do t’i argëtojnë sadopak një ditë në javë, duke ofruar për ta lojërat e munguara për shkak të qëndrimit në spital.
"Ashtu siç është praktikë në të gjitha spitalet dinjitoze të botës, edhe në këtë spital të Tiranës, ku kushtet janë tmerrësisht të vështira dhe prindërit përpiqen të kalojnë çdo vështirësi, ne dëshirojmë t’ua lehtësojmë sadopak përpjekjet", - u shpreh Rama.
Pasi është takuar me disa pacientë të vegjël, kryebashkiakun e kanë ndalur edhe shumë familjarë duke i shprehur hallet që ata kanë, duke nisur që tek çmimi i lartë i ilaçeve që duhet të blejnë.
Grupi i të Rinjve të Rrjetit kanë vizituar të gjitha pavijonet e pediatrisë, duke u kthyer sadopak gëzimin në sy fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme në këtë spital, pasi çdo fundjavë, Rrjeti Rinor i Bashkisë së Tiranës, vullnetaret dhe vullnetarët e këtij rrjeti do të jenë pranë fëmijëve të këtij spitali, për t’u dhënë atyre gëzim, për t’u dhënë atyre shpresë dhe kurajo dhe do të jenë në krah të prindërve të tyre, që sot kanë nevojë jo vetëm për mbështetjen e mjekeve, mjekëve, infermierëve të cilët në kushte shumë të vështira po ua japin këtë mbështetje, por edhe për mbështetjen e gjithë shoqërisë.
Buxheti i Tiranës, debat mes PD-së e PS-së
Rinisin sërish debatet mes këshilltarëve të PD-së dhe PS-së në Këshillin Bashkiak. Një ditë para mbledhjes kur do të votohet sërish buxheti i vitit 2009, janë ashpërsuar debatet mes dy partive të mëdha. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, njëkohësisht kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë, ka akuzuar bashkinë për mungesën e transparencës.
“16 milionë euro janë ende pa asnjë destinacion. Të gjitha programet janë të palistuara për t’u miratuar”, - u shpreh Poni.
Deklarata e Ponit ka ardhur gjatë analizës vjetore të Prefekturës së Tiranës, ku ai ka deklaruar se do të punohet për decentralizimin e minibashkive, ndërkohë që ka kërkuar që pushteti vendor të punojë shpejt për pajisen e çdo qytetari me adresën e saktë të pallatit dhe hyrjes.
Por për Bashkinë e Tiranës këto pretendime janë të pavërteta dhe akuza të qëllimshme.
“Të dyja palët japin përmes përfaqësuesve, shifra të manipuluara dhe arsye të pabazuara. Ishte radha e Ponit, që të përsërisë përrallën e dhjetëra milionë eurove, ashtu sikurse Monika e prezantoi para disa ditësh, duke nxjerrë shifra nga kompjuteri i vjetër i Sokol Olldashit”, - u shpreh nënkryetari i bashkisë, Eduart Shalsi.