Këshilli Bashkiak, debate për fondet e Ujësjellësin

Basha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak
Miratohen 5 vendimet e propozuara. Tre edhe me votat e opozitës.
Basha: Bashkia ka trashëguar 8 milionë euro borxhe.
Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak të Tiranës për këtë vit ka nisur me debate, të cilat vazhduan për të paktën 2 orë. Pas prezantimit që kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, u bëri 5 projektvendimeve, nisën reagimet nga opozita për pikën e parë të rendit të ditës. Bëhet fjalë për një fond rreth 3.5 milionë dollarë, që do të mbarten nga viti i kaluar duke u bërë pjesë e buxhetit të këtij viti. Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, akuzoi për rekrutime politike në administratë dhe diskriminim të minibashkive që drejtohen nga të majtët. Zoti Basha duhet të na japë një përgjigje pse nuk u mblodh Këshilli për dy muaj, pasi ne mendojmë se administrata e Bashkisë ska qenë e aftë të përgatisë materialet. Janë bërë spastrime në administratë, duke zëvendësuar njerëz të kualifikuar me militantë. Ndërkohë që kur mori drejtimin e Bashkisë tha se e ka gjetur arkën e Bashkisë bosh, del ky fond papritur, u shpreh Dalipi. Kryebashkiaku Basha, në fjalën e tij mohoi akuzat për shkurtimet politike në administratë. Ndërkohë ai deklaroi se Bashkia ka trashëguar miliona euro borxhe ndaj palëve të treta. Unë i qëndroj asaj që kam thënë se arka ka qenë borxh. Madje më lejoni tju kujtoj se Bashkia ka 8 milionë euro fatura e gjygje të humbura, të cilat duhen paguar ndaj palëve të treta. Janë borxhe të akumuluara. Në këtë situatë e gjetëm arkën, por le të mos i hyjmë kësaj historie. Sa për pretendimet tuaja për kriteret e punësimit, unë them se i keni të pabaza. Unë ju garantoj se kriteri i vetëm do të jetë performanca, por kjo nuk do të thotë se në administratë kanë qenë të gjithë në lartësinë e detyrës, tha Basha. Ai shtoi gjithashtu se asnjë minibashki nuk do të diskriminohet me fonde, qoftë me drejtues të majtë apo të djathtë. Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunim të forcave politike dhe jo ngritjen, sipas tij, të problemeve imagjinare. Pas këtyre debateve, projektvendimi për shtesën e fondit në buxhet u hodh në votë dhe u miratua vetëm me kartonët e maxhorancës.
Ujësjellësi dhe votimet
Projektvendimi i dytë që ngjalli debate ishte ai i kalimit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës në varësi të Bashkisë. Basha propozoi që opozita të kishte një përfaqësues në bordin e ndërmarrjes, duke e cilësuar këtë vendim mjaft të rëndësishëm në shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm ndaj qytetarëve. Por, kreu i grupit të majtë, Alfred Dalipi, dha sërish votën kundër këtij vendimi. Për propozimin tuaj kam rezervat e mia. Ne do të ishim të gatshëm të jepnim votën tonë pro, në rast se do të kishim një rishikim të faturave të ujit për të cilat ankohen qytetarët që u faturohen në mënyrë abuzive, tha Dalipi. Me tone dhe akuza mjaft të ashpra foli këshilltari i PS-së në Këshill, Mehmet Hasanlami, të cilit iu ndërpre fjala nga kryetari i Këshillit, Njazi Kosovrasti. Mendoj se duhet sqaruar pse ujësjellësi nuk ka kaluar në varësi të Bashkisë këto 5 vjet. Në këtë shoqëri është bërë masakër. Janë vlera rënqethëse parash të vjedhura. Linja e ujësjellësit të Lanabregasit ka kushtuar 3.7 milionë euro. Me këtë shumë, edhe me argjend do ishin larë tubacionit. Janë zhdukur tubacionet ekzistuese dhe janë shitur për skrap, tha Hasanlami. Pas një mbledhjeje prej gati 3 orësh u miratuan të 5-ta projektvendimet e paraqitura në Këshill. Dy të parët, vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa për 3 të tjerët u morën edhe votat e opozitës.
Debatet e djeshme
Aldrin Dalipi: Kam takuar shumë qytetarë të ndëshkuar, të papunë e invalidë, të cilët ishin faturuar më shumë se sa kanë paguar. Ju, zoti Basha, keni ngritur zërin për çmimin e portokalleve, por jo për faturat që u shkojnë qytetarëve në shtëpi. Një administratë e përgjegjshme do nxirrte përgjegjës, madje do vinte edhe njerëz para drejtësisë. Na jepni shpjegime për 350 veta, të cilët janë larguar. Nuk ka ndodhur më parë, as kur në krye të Bashkisë ishte zoti Klemendi, as kur ishte zoti Brojka.
Njazi Kosovrasti: Jo deklaratë politike, zoti Dalipi. Flisni për rendin e ditës.
Alferd Dalipi: Hape mikrofonin dhe mos më ndërprit.
Njazi Kosovrasti: Të ndërpres se jam rojtar i rregullores. Nuk mund të bëni deklarata, jemi për diskutim në përputhje me rendin e ditës.
Alfred Dalipi: Edhe ne jemi rojtarët e qytetarëve.
Ferdinand Poni: Dua të sqaroj se njësive bashkiake kur e kishit ju bashkinë, nuk u janë dhënë fonde as për projektet e godinave të tyre. Lërini provokimet.
Lulzim Basha: Çështja e buxhetit është çështje financash të gjetura papritur. Unë i qëndroj asaj që kam thënë. Arkën e gjetëm bosh. Mos i hyjmë kësaj historie. Sa për diskriminim, nuk është pjesë e metodës sime të punës, dhe ju garantoj se nuk do të ketë asnjë diskriminim, sepse asnjë njësi nuk ka vetëm demokratë apo socialistë.
Alfred Dalipi: Prapë nuk morëm përgjigje lidhur me shqetësimet që ngritëm. Ajo që më shqetëson mua është mënyra si sillen vendimet.
Lulzim Basha: Zoti Dalipi, po ju them edhe një herë se gjithçka është transparente. Meqë përmendët bashkëpunimin, ju falënderoj për shqetësimin që ngritët lidhur me faturat e Ujësjellësit. Është ky lloji i bashkëpunimit që na duhet. Unë e mirëpres opozitën nga ju, por jo me probleme imagjinare. Brenda datës 5 mars të gjitha familjet e faturuara më tepër nga Ujësjellësi do të faturohen më pak në muajin pasardhës, pra do tu zbritet shuma e paguar më tepër në muajin paraardhës. Për problemet imagjinare të mos harxhojmë kohën, pasi asnjë intrigë politike nuk do ta zhbëjë vendosmërinë time. Megjithatë, dera ime ka qenë e hapur. Pse nuk më ke kontaktuar duke qenë se paske pasur problem?
Ferdinand Poni: Vendimi për kalimin e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në varësi të Bashkisë është bllokuar qëllimisht nga kryetari juaj në mënyrë të njëanshme. Ju e dini mirë këtë.
Mehmet Hasanlami: Unë them se duhet të sqarojmë se pse këta 5 vjet nuk është marrë Ujësjellësi. Ndoshta do tju ha pak kohë, por rrini i qetë, zoti kryetar, se kam edhe minutat e fjalës së nja dy shokëve të mi këtu. Nga 2007-a deri tani është bërë masakër me këtë ndërmarrje. Janë vlera rrëqethëse parash të abuzuara. Këto të dhëna nuk i jap unë, po i japin specialistët. Edhe pse tri herë janë transfuzuar punonjësit, ka ngelur ndonjë specialist. Vetëm linja e Lanabregasit ka kushtuar 3.7 milionë euro për 3km. Me këtë shumë mund të ishte shtruar me argjend tubacioni.
Njazi Kosovrasti: Kur ta marrim, mund ti bëni këto diskutime.
Mehmet Hasanlami: Mos më ndërprit fjalën mua. Tju vijë zor që silleni si satrapë. Turp të keni! Mos me ndërprit fjalën mua mor pis! Kujton se ke ato historitë e shkollës këtu.
Shpronësimet
Një pjesë e fondeve prej 3.5 milionë dollarësh, të cilat do ti shtohen këtë vit buxhetit të Bashkisë pas miratimit të vendimit të djeshëm, do të përdoren për shpronësime. Bëhet fjalë për dy projekte. Njëri i përket segmentit rrugor që lidh rrugën Ali Demi dhe Bërrylin, i cili është i bllokuar që prej 2004-s, ndërsa pjesa tjetër për shpronësimin e banorëve të Sharrës, për të zgjeruar varrezat.
Projektvendimet
. Projektvendim Për një shtesë në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.25, datë 28.12.2011, Për miratimin e buxhetit të vitit 2