E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emrat e kandidatëve të PS për Tiranën

SHKRUAN: Fejzi Braushi 30-03-2011 19:48

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kthen mbrapsht listën e Partisë Socialiste për anëtarë të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Arsyeja kësaj here nuk ka qenë e lidhur me qëndrime politike, por me anën teknike, pasi socialistët nuk kishin respektuar detyrimin ligjor që 30 për qind e propozimeve të jenë femra. Ndërkohë po dje ky komision me anë të një marrëveshjeje paraprake me 66 personat e emëruar nga shoqëria civile në KZAZ, i ka liruar ata nga kjo detyrë, ndërsa i ka emëruar si ndihmës teknikë të sekretarit të këtyre komisioneve kundrejt një shpërblimi prej 25 mijë lekë të vjetra plus pagën për kohën që kryen detyrat e mëparshme.

Lirimi

Ashtu siç edhe ishte lajmëruar një ditë më parë KQZ ka mundur të gjejë konsensusin e 66 anëtarëve dhe sekretarëve apolitikë të emëruar në KZAZ, për lirimin e tyre nga kjo detyrë dhe zëvendësimin me emra politikë nga PS dhe PBDNJ. Pjesë e këtij konsensusi ka qenë një premtim që kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u ka bërë atyre për t’i emëruar si ndihmës teknikë të sekretarit të KZAZ. Konsensus ky që ka patur dhe një faturë financiare, pasi KQZ në një mbledhje të posaçme të zhvilluar gjatë paradites së djeshme ka miratuar dhe një masë shpërblimi për ta. Më saktë, bëhet fjalë për një masë shpërblimi 25 mijë lekësh për detyrën e ndihmës sekretarit, si dhe pagën për kohën që kryen detyrën e anëtarit dhe sekretarit të KZAZ-së.

Emërimi

Menjëherë pasi ka miratuar masën e shpërblimit për të 66 personat apolitikë, KQZ në një mbledhje të dytë të zhvilluar gjatë orëve të pasdites ka diskutuar edhe për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve sipas propozimeve të PS-së dhe PBDNJ-së. Kjo çështje ka rikthyer në sallë dhe dy përfaqësuesit socialistë Genci Gjonçaj dhe Eridian Saliani. Prezenca e parë e tyre për këtë vit ka risjellë në KQZ dhe debatin politik me përfaqësuesin e PD-së Niazi Kosovrasti dhe të propozuarit nga të djathtët në KQZ. E temë për debat është bërë pikërisht pretendimet e ngritura nga Gjonçaj se KZAZ numër 19 në Fier nuk ka pranuar të regjistrojë kandidatët e opozitës si për krerë të njësive vendore ashtu edhe për anëtarë këshillash. Gjithashtu, ai ka ngritur shqetësimin edhe të listave të zgjedhësve, të cilat, sipas tij, janë ende të hapura, ndërsa në to po bëhen ende ndryshime. Por ndaj këtyre shqetësimeve ka reaguar kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ashtu edhe përfaqësuesi i PD-së, Nnjazi Kosovrasti, të cilët i kanë treguar Gjonçajt se për çdo ankesë duhet të ndiqet rruga institucionale, pra ajo e ankimimeve. Më pas debati është zhvendosur pikërisht te listat e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve. Administrata e KQZ-së ka konstatuar se jo të gjitha propozimet e paraqitura nga PS dhe PBDNJ kanë qenë konform ligjit dhe se lista e PS-së nuk plotësonte kriterin e gjinisë. “Nga 165 propozime për anëtarë të KZAZ, nga PS 160 kanë dokumentacionin e plotë. Propozimet për anëtarë nuk plotësojnë kriterin e gjinisë të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, nga 50 që i takon 30%, është 44. Për sa i përket sekretarëve, nga 33 propozime 31 kanë dokumentacionin e plotë”, - tha Aliona Mansaku, sekretare e përgjithshme e KQZ-së. Por lidhur me këtë shqetësim përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, ka kërkuar që të miratohen ata emra të cilat plotësojnë kriteret ligjore, ndërsa përsa i përket problemit të 30 për qindëshit të gjinisë, ato të plotësohen në ditët në vijim. Propozim ky që nuk është pranuar nga KQZ, e cila ka pranuar vetëm të miratojë listën e paplotë të PBDNJ-së si dhe listën e sekretarëve të PS-së, por jo listën e anëtarëve. Kjo është bërë shkak për një debat të ashpër politik, pasi Gjonçaj ka akuzuar KQZ-në se po bëhet pengesë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Nuk mund të dalë ai që ka shkelur ligjin dhe të ngrejë zërin fort dhe lart dhe të thotë më është shkelur e drejta ime”, - tha Kosovrasti. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Gjonçajt, i cili ka konstatuar se “është e vërtetë që PS nuk solli propozimet në kohë, por as PD nuk i ka sjellë propozimet në kohë”, - tha Gjonçaj. Pavarësisht kësaj KQZ nuk ka pranuar të emërojë anëtarët e PS-së, duke rikthyer listën për riplotësim sipas kritereve ligjore, ndërsa ka lënë në detyrë ende në këto pozicione përfaqësuesit e shoqërisë civile. Madje Ristani, duke folur për këtë pjesë, ka bërë të ditur se KQZ të 66 personat e emëruar nga shoqëria civile do t’i mbajë rezervë për t’i riemëruar në rast se PS apo PBDNJ do të përpiqen të bllokojnë procesin, duke tërhequr anëtarët e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›