Ekspertët e BE-së: Shqipëria, sukses në luftën kundër krimit të organizuar
Ekspertët e Bashkimit Evropian mbi trafikimin e qenieve njerëzore, e cilësojnë Shqipërinë një shembull suksesi në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe një partner i besueshëm i BE-së në këtë luftë. Vlerësimi është bërë në Ministerialin e BE-së “Drejt një veprimi global kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, që u zhvillua në Bruksel, ku mori pjesë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij në këtë Ministerial, ministri Basha theksoi se lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore përbën një prioritet madhor të qeverisë shqiptare. Ashtu siç theksoi edhe raport-progresi, këtë vit Shqipëria ka bërë përparime në luftën kundër këtij trafiku, duke zbatuar Strategjinë Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore. “Si rezultat i luftës me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit mbi trafikimin e qenieve njerëzore e ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim duke vlerësuar në këtë mënyrë përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, - theksoi Basha.
Duke marrë fjalën pas ministrit Basha, kreu i sesionit, Marco Gramenia, president i grupit të ekspertëve të BE-së mbi trafikimin e qenieve njerëzore, vlerësoi se hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për sigurinë e kufijve dhe pajisjen me dokumente të sigurta vijnë si pasojë e vullnetit të qeverisë “Berisha” në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore
Ministri Basha u shpreh se në veçanti Shqipëria është vlerësuar si vendi me praktikën më të mirë në rajon për ndërtimin dhe vënien në funksionim të bazës së të dhënave për viktimat e trafikut dhe përqendrimi i përpjekjeve tek identifikimi dhe rehabilitimi i viktimave të trafikut është rezultat i suksesit të luftës kundër trafikut, që Shqipëria ka korrur vitet e fundit. Gjatë vitit 2007 u identifikuan 199 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit me 238 autorë, gjatë vitit 2008 u identifikuan 104 raste me 154 autorë dhe gjatë vitit 2009, 46 raste me 73 autorë. Në afro 39 operacione me teknika speciale gjatë këtyre viteve janë goditur dhe eleminuar 72 grupe kriminale dhe janë vënë para drejtësisë qindra anëtarë të këtyre grupeve. Ministri Basha nënvizoi faktin se Shqipëria që prej vitit 2006 ka në fuqi moratoriumin për mjetet e shpejta të lundrimit në det, i cili ka rezultuar mjaft efektiv, duke bërë që ky trafik nëpërmjet kufirit detar të jetë pothuajse zero. “Në të njëjtën kohë përpjekjet tona janë fokusuar tashmë në konsolidimin e një regjimi kufitar të standardeve më të larta ndërkombëtare”, - shtoi ai. Ministri Basha u ndal në veçanti në funksionimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar, bashkëpunimin mes autoriteteve policore me ato doganore, fitosanitare, si dhe bashkëpunimin me të gjitha organet kompetente për vënien para drejtësisë të të gjithë personave që kryejnë veprimtari të paligjshme.
Pasaportat biometrike
Gjatë fjalës së tij, numri një i Ministrisë së Brendshme informoi homologët në Ministerial mbi hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për pajisjen me pasaporta biometrike të qytetarëve shqiptarë dhe modernizimit e sistemit të gjendjes civile. “Deri më tani janë pajisur me pasaportë biometrike 9% e qytetarëve shqiptarë, çka do të thotë se Shqipëria ka ritmin më të lartë në rajon në këtë drejtim, duke pasur parasysh se procesi filloi në muajin maj të këtij viti”, - u shpreh ai, duke shtuar se “po kështu Shqipëria është vlerësuar për bashkëpunimin me të gjitha agjencitë ndërkombëtare si Interpol, Europol, Frontex, Eurojust, por edhe për bashkëpunimin dypalësh me vende të BE-së në fushën e shkëmbimit të informacionit, asistencës së ndërsjelltë, madje edhe operacioneve të përbashkëta për goditjen dhe neutralizimin e elementëve të krimit të organizuar”. Duke vlerësuar në veçanti partneritetin me vendet e rajonit, Basha falënderoi presidencën suedeze të BE-së për përfshirjen e Republikës së Kosovës krah për krah vendeve të rajonit, duke theksuar se përfshirja e të gjitha vendeve të rajonit dhe jo përjashtimi, është rruga e vetme për të përballuar me sukses këtë sfidë të përbashkët.
Takimet
Gjatë Ministerialit, ministri Basha u takua dhe bisedoi me zv.presidentin e Komisionit Evropian dhe komisionerin për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, z. Jacques Barrot, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Thornbjorn Jagland, ministra dhe homologë të Suedisë, Belgjikës, Sllovenisë, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Holandës e Norvegjisë. Gjatë këtyre takimeve, ministri Basha nënvizoi progresin e arritur nga Shqipëria në prioritetin kryesor të qeverisë “Berisha”, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Ai ka marrë mbështetjen e bashkëbiseduesve për ecjen përpara me ritme të përshpejtuara të këtij procesi të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.