Operacioni “Ambasada”, ndalohen shtatë agjentë sigurimesh
Policia e Tiranës ndaloi shtatë agjentë sigurimesh, të cilët akuzohen se u prisnin qytetarëve sigurime për jetën mbi vlerën e përcaktuar. Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar, në bashkëpunim me Policinë Tatimore, organizuan operacionin policor “Ambasada” ku vunë në pranga 42-vjeçarin Lefter Jaupaj, 61-vjeçarin Ylmije Kapedani e 44-vjeçaren Mbarime Selmani. Gjithashtu, në pranga u vunë edhe 46-vjeçari Kujtim Malaj, 55-vjeçarja Lindita Dema e Fatos Karagjozi, 43 vjeç e Pirro Toçka, të gjithë banues në Tiranë. Sipas hetimeve të kryera nga policia, dyshohet se këta shtetas, duke qenë të punësuar si agjentë sigurimesh pranë shoqërive të sigurimeve “Sigal”, “Eurosig”, “Albsig” dhe “Atlantik”, degë të cilat janë të vendosura në afërsi të ambasadës italiane në Tiranë, ushtronin aktivitetin e tyre, duke u prerë sigurime për jetën mbi vlerën e përcaktuar qytetarëve të ndryshëm (të cilët aplikojnë për marrjen e vizave pranë kësaj ambasade). Pas deklarimeve të marra, agjentët e sigurimeve u lanë të lirë. Ndërkohë, Policia Tatimore Tiranë ndërmori masën me gjobë ndaj këtyre kompanive sigurimesh në vlerën 250 mijë lekë (secila), pasi këto kompani ushtronin aktivitetin e tyre, në ambiente, të cilat nuk ishin të licencuara.