Këshilli Drejtues, hetim jurisë
• Vazhdon seriali “Festival”. Nëse deri dje nga drejtuesit e RTSH-së kërkohej të “hetohen” dy zerot e dhëna nga anëtarët e jurisë, kineastit Gjergj Xhuvani dhe kantautorit Alban Skënderaj, sot flitet për një tjetër çështje që duhet të zbardhet.ANILA MEMATë hetohet mënyra se si u zgjodh juria. Të paktën kështu deklaron në një bisedë telefonike për gazetën kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Agron Tufa. Sipas tij, mësohet se pas mesditës së të premtes në mbledhjen e radhës së këtij këshilli do të zbardhen edhe gjithë shkaqet që çuan në këtë histori të debatueshme. Pavarësisht kësaj tentative të KD, paralelisht ndërtohet e njëjta histori klanesh. Të hetohet juria?! Po cila juri?! Një juri e ngritur nga vetë drejtuesit e festivalit?! Ajo e ndërtuar mbi baza njohjesh a interesash?! Po vetë Gjergj Xhuvani, i cili është nënkryetar i KDRTSH çfarë do të hetoj, vetveten, votën apo pjesëmarrjen e tij në juri?! Edhe vetë Këshilli Drejtues i RTSH është i ndarë në të njëjtët klane, grupin e drejtoreshës së festivalit Zamira Kolecit dhe atij të drejtorit të Përgjithshëm të TVSH, Petrit Becit, kësisoj dhe mbledhja e së premtes do të shënojë një tentativë të dështuar për zbardhjen e gjithë enigmave. Vetë anëtarë të ndryshëm të KDRTSH kanë mendime të ndryshme, qofshin këto për votimin e jurisë në festival, për anëtarët e saj, qoftë edhe për mbledhjet e tyre. Anëtari i këtij këshilli, Petrit Ymeri e injoron faktin e një mbledhjeje të tillë, pasi sipas tij, puna e tyre ka përfunduar që me miratimin e buxhetit të festivalit, që ishte një shumë jo e vogël por mbi 200 milionë lekë plus shtesat e bëra më pas për prezantuesen e festivalit. E pyetur se si dhe kur është krijuar kjo juri, vetë drejtoresha e festivalit Zamira Koleci, mjaftohet me përgjigjet: i zgjodhëm ne të gjithë, por nuk më kujtohet se kurrë, duke shtuar se për të nuk është problem, nëse mblidhet apo jo KD e RTSH, në një kohë që po nga vetë drejtoria e saj, një ditë më parë doli deklarata për shtyp, për të kërkuar hetim mbi votimin. A thua kjo moskokëçarje nga ana e saj, është e vërtetë?! Nga burime të sigurta pranë RTSH mësojmë se juria e festivalit e përbërë nga shtatë emra të njohur si kineasti Gjergj Zhuvani, kompozitorët, Agim Krajka, David Tukiqi, Gjergj Leka, drejtuesja televizive Rudina Magjistari, publicisti Baton Haxhiu dhe kantautori Alban Skënderaj është përzgjedhur rreth dy javë para festivalit. Gjithashtu bëhet me dije se fillimisht janë propozuar nëntë emra, mes të cilëve edhe këngëtari e kompozitori i mirënjohur Kristi Popa. Vetë artisti i pyetur nga gazeta, shpjegon se ftesën e marrë nga Edmond Zhulali dhe Petrit Beci, për të qenë pjesë e kësaj jurie, nuk e ka pranuar, për arsye personale dhe profesionale. “Për fat të keq nuk mora dot pjesë në këtë festival edhe si kompozitor sepse nuk kam pasur kohën e mjaftueshme për t’i kushtuar vëmendjen një kënge”, është shprehur ai. Por kur pyesim Kolecin për largimin e Popës nga juria, thjesht ajo shton: As e njoh fare! A është kjo një juri e hapur klanesh? Le të presim atëherë përfundimin e mbledhjes së KDRTSH-së.