Vidhen paratë e 1500 pensionistëve
• ELBASAN – Grabiten paratë e pensionistëve të komunës Mollas. Plot 6.3 milionë lekë janë rrëmbyer gjatë natës në zyrat ku ishin mbyllur pasditen e së martës, me qëllim të shpërndaheshin ditën e djeshme.Autorët kanë shqyer dritaren e zyrës postare të kësaj komune, pasi kishin dijeni për mbërritjen e parave të pensionistëve. Pasi e kanë marrë të gjithë shumën, janë larguar pa u vënë re nga askush. Në mëngjes, kur punonjësi i zyrës postare të kësaj komune, Ndriçim Frakulli, ka hapur derën menjëherë, ka konstatuar zhdukjen e parave. Vetë ai i kishte lënë një natë më parë aty, pasi i kishte tërhequr nga banka, ndonëse godina nuk kishte roje. Menjëherë ka njoftuar nëpërmjet celularit sallën operative të drejtorisë së policisë në Elbasan, duke deklaruar vjedhjen. Mesditën e djeshme, oborri i policisë së Elbasanit ka qenë i tejmbushur nga personat e shoqëruar, por ende nuk është zbuluar autori. Ata që e kanë pësuar nga e tërë kjo ngjarje janë pensionistët, të cilët dje kanë qëndruar para sportelit të vetëm të zyrës postare, por nuk kanë marrë dot paratë. Për 1500 pensionistët duket se festat do të kalojnë pa para, ndërsa nuk dihet sesi do të realizohet kompensimi i tyre. a.k