Fjalimi, Berisha përshëndet Sejdiun
• Qeveria shqiptare ka përshëndetur dje fjalimin historik, siç e quajti ajo, të mbajtur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, para përfaqësuesve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.Në një konferencë për shtyp, drejtori i Informacionit në Kryeministri, Grid Rroji, tha se “Qeveria shqiptare përshëndet fjalën historike të presidentit Sejdiu para përfaqësuesve të kombeve më të fuqishëm të botës dhe anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, si një kontribut shumë i rëndësishëm për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës, si dhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”. Sipas qeverisë shqiptare, dita e fjalimit të presidentit Sejdiu në OKB është një ditë historike për Kosovën, por edhe për gjithë kombin shqiptar. “Sot është një ditë historike për Kosovën dhe për mbarë kombin shqiptar. Përfaqësuesi më i lartë i Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu iu drejtua për herë të parë institucionit më të rëndësishëm ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, vijon më tej në deklaratën për shtyp të drejtorit të Informacionit.